Fondet për partitë, Ristani: Me vendim qeverie
Shpërndarja e fondeve publike për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje do të vihet në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani tha dje se për këtë duhet komunikuar me Ministrinë e Financave. Neni 87, pika 2 (gërma a) e kodit zgjedhor, ndër të tjera thotë se "fondi u jepet partive politike nga KQZ, jo më vonë se pesë ditë, pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumëemërore për çdo zonë zgjedhore". Pak ditë më parë qeveria miratoi vendimin "Për shpërndarjen e fondit publik prej 65 milionë lekësh, subjekteve zgjedhore në fushatë". Kodi përcakton se jo më vonë se 5 ditë ndahen para për çdo parti politike, sipas formulës në Kodin Zgjedhor. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se do të komunikohet me Ministrinë e Financave për të tërhequr fondin. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të tërheqin gjysmën e fondit prej 65 milionë lekësh të reja nga buxheti i shtetit që jepen për fushatën elektorale. Pjesa tjetër e fondit ndahet në bazë të mandateve që partitë kanë në Kuvend, kjo, e sanksionuar në Kodin Zgjedhor. “50% e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse”, - thuhet në Kod.