E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Jo përdorim të fëmijëve në fushatë



Kryetari i shtetit, Bamir Topi, shprehu dje shqetësimin për përdorimin nga partitë politike të fëmijëve të shkollave në fushatat elektorale. Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, më 1 qershor, Presidenti priti dje në Pallatin e Brigadave një grup të rinjsh dhe një tjetër me nxënës të dalluar të shkollës jo publike 9-vjeçare në kryeqytet, “Motrat Qiriazi”. Duke përfituar nga rasti, Presidenti ndau shqetësimin e përdorimit të të miturve nën 18 vjeç për të mbushur sallat apo mitingjet elektorale, gjë që dëmton procesin arsimor dhe edukues të tyre, pasi sipas Topit, i shkëput ata nga mësimi si dhe përdoret imazhi i tyre për qëllime elektorale të partive politike në Shqipëri. Duke i konsideruar të drejta shqetësimet e të rinjve, Presidenti i Republikës i inkurajoi që të jenë aktivë në debatin publik për të shprehur hapur mendimet e tyre, edhe nëpërmjet takimeve me subjekte të tjera. Presidenti Topi vuri në dukje se të rinjtë dhe e ardhmja e tyre duhet të trajtohen si përparësi në programet elektorale të partive politike dhe se duhet të respektohet barazia gjinore në përfaqësimin në Parlament. Presidenti Topi apeloi sërish dje për një fushatë zgjedhore në respekt të rregullave etike e morale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›