“Fondet për pushtetin vendor janë trefishuar”
• TIRANE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha dje se fondet për pushtetin lokal në vitin 2008 janë trefishuar.“Nga 7.3 miliardë lekë në vitin 2005, granti për pushtetin vendor në vitin 2008 është pothuaj trefishuar, duke shkuar në 20 miliardë lekë”, tha ministri i Brendshëm, i cili ishte i pranishëm në analizën e punës së Prefekturës së Tiranës për vitin 2007. Në këtë analizë, prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, evidentoi problemet e ecurisë së investimeve vendore, shfrytëzimin pa kriter të shtretërve të lumenjve, pengesat në monitorimin sa dhe si duhet të akteve të ndryshme të njësive të qeverisjes vendore dhe çështjen e respektimit të kufijve administrativë të njësive vendore të Qarkut Tiranë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shprehu gjatë analizës vendosmërinë e qeverisë për të realizuar një proces real dhe konkret bashkëpunimi për vënien në dispozicion të pushtetit vendor të të gjitha resursve të nevojshme teknike e financiare për t’i vënë ato në shërbim të qytetarëve. “Vetëm për Qarkun e Tiranës janë financuar 52 projekte”, ka pohuar ministri Nishani. Ai ka vënë theksin gjatë fjalës së tij në dy çështje kryesore: trajtimin e përpunimin e mbeturinave dhe procesin e legalizimit të zonave informale. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, Nishani deklaroi se qeveria mbështet çdo projekt e nismë të organizmave të qeverisjes vendore për trajtimin e mbeturinave. Kreu i dikasterit të Brendshëm kërkoi gjatë fjalës së tij bashkëpunimin e njësive vendore, bashki e komuna, për të përshpejtuar dhe jetësuar procesin e legalizimeve, një proces ku qytetarët presin kontributin si të pushtetit qendror dhe të pushtetit vendor. Ministri i Brendshëm ka marrë pjesë ditët e fundit edhe në analizën e punës së Prefekturës së Elbasanit, ndërsa në vazhdimësi ka mbajtur kontakte me strukturat e pushtetit lokal, duke trajtuar problematikën me të cilën ato përballen gjatë punës së tyre. Në këtë linjë, vetëm pak kohë më parë, si pasojë e gjendjes së krijuar nga reshjet e shumta të dëborës dhe bllokimi i rrugëve, ministri i Brendshëm zhvilloi takime me drejtues të strukturave të pushtetit vendor në veri dhe verilindje të vendit, duke u ofruar atyre mbështetjen maksimale për zgjidhjen e problemeve të komunitetit.