Tiranë, gruaja i vjedh burrit 350 mijë lekë
• TIRANE - Denoncon vjedhjen e 350 mijë lekëve të reja në shtëpi, policia identifikon si autore të krimit gruan e të dëmtuarit.Roland Nuredini, 33 vjeç, ka denoncuar dy ditë më parë vjedhjen e banesës së tij në Tiranë. Sipas të dëmtuarit, në banesë ishin marrë rreth 350 mijë lekë të reja, ndërsa vjedhja mësohet se është kryer pa thyerje. Pas hetimit të policisë së Kombinatit dhe nga verifikimet e kryera, është zbuluar se paratë ishin marrë prej bashkëshortes së denoncuesit, Bleda Nuredini, 22 vjeçe. Ky fakt ka shkaktuar tronditje te bashkëshorti, kur ka marrë vesh faktin se nusja e tij i kishte marrë nga sirtari të gjitha paratë që kishte lënë aty. Vjedhja e mësipërme është bërë e ditur për gazetën nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se autorja e krimit është identifikuar nga policia pas hetimit të kryer dhe krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve të administruara nga ekspertët në vendin e ngjarjes. Të njëjtat burime pohuan se ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë, ndërsa pas hetimit të kryer është identifikuar dhe zbuluar edhe autorja e vjedhjes së banesës. Pas marrjes së deklarimeve të bashkëshortit, policia ka shpallur në kërkim 23-vjeçaren Bleda Nuredini. Organet e rendit kanë kryer kontrolle në disa banesa ku mendohej se mund të fshihej nusja e shpallur në kërkim. Ndërkaq emri i kësaj të fundit është shpërndarë në të gjitha njësitë policore, pasi ndaj saj tashmë ka edhe një urdhër arresti të Prokurorisë. d.b