Studimi i gjeneve, shqiptarët prejardhjen nga Evropa Veriore
• Shqiptarët e kanë prejardhjen nga Evropa Veriore. Hipoteza ngrihet nga laboratori gjenetik në kryeqytet. Për herë të parë në vend është analizuar materiali biologjik në popullatë. Nga studimi ka rezultuar se gjenet tona janë të ngjashme me ato të pjesës veriore të Evropës dhe të ndryshme nga vendet fqinje që na rrethojnë. Lajmi u publikua dje nga televizioni “Vizion Plus”. Studimi është bërë nëpërmjet testeve të ADN-së. Specialistët kanë eksperimentuar të paktën 15 gjene të trupit njerëzor dhe kanë parë përhapjen e tyre në popullatë. Janë marrë parasysh të gjitha frekuencat e formave të ndryshme të një gjeni të caktuar si dhe sëmundshmëria. Bazuar mbi këtë të fundit, studiuesit kanë gjetur një ndikim edhe nga popullata kurde. “Kampionet janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Është marrë një njollë gjaku dhe prej saj është ekstraduar ADN-ja. Prej të dhënave ka rezultuar se kemi ngjashmëri me vendet e Evropës Veriore dhe kemi gjene të ndryshme nga sllavët”, shpjegon shefi i laboratorit gjenetik në kryeqytet, Grigor Zoraqi. Sipas tij, nga të dhënat e mbledhura prej studimit, rezulton gjithashtu se shqiptarët nga ana gjenetike janë të ngjashëm edhe me popullatën greke. Kjo hipotezë nga ana shkencore hidhet për herë të parë në vendin tonë”. Studimi është kryer për herë të parë. Deri tani nga ana gjenetike ne nuk kishim asnjë të dhënë për prejardhjen e shqiptarëve. Prandaj të dhënat kanë qenë surprizë edhe për ne”, sqaron shefi i laboratorit gjenetik në kryeqytet. Ndërkaq sa i përket anës gjuhësore, një tezë e ngjashme është mbrojtur vite më parë edhe nga studiuesi Eqerem Çabej. Sipas tij, mbështetur mbi metodat krahasimore të shkollës gjermane, shqiptarët kanë ngjashmëri me Evropën Veriore. Sakaq gjenetistët sqarojnë se studimi është i rëndësishëm edhe për të analizuar gjetjet arkeologjike. Deri tani skeletet e gjetura janë çuar jashtë vendit për të vërtetuar prejardhjen e tyre. Gjuha, kultura, zakonet janë elementët më shumë të përdorur për identifikimin e origjinës së një populli. Por nga ana shkencore, analiza gjenetike mund të hedhë poshtë shumë nga këto elemente, nëse vërtet hipotezat e ngritura prej specialistëve vërtetohen.