E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, ligj i ri për trafikun ajror



Këshilli i Ministrave dërgoi në Kuvend projektligjin për krijimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, i cili do të merret me menaxhimin e trafikut ajror në vend. Projektligji i ri parashikon funksionet që do të ketë ky autoriteti dhe bordi i tij në kuadër edhe të Kodit Ajror. Ky autoritet do të zëvendësojë Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil. Sipas projektligjit, parashikohet që brenda 2 muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit, administrata e DPAC-së të shkrihet. Projektligji shprehet se në të njëjtin afat drejtori ekzekutiv sipas procedurave të miratuara nga Këshilli drejtues, fillon punën për rekrutimin e nëpunësve dhe punonjësve për autoritetin duke trajtuar me përparësi punonjësit e punësuar më parë në DPAC. Personat që kanë funksione ekzekutive në administratën e DPAC-së nuk mund të japim më licenca apo të zgjasin ato, si dhe të njëjtët persona kanë detyrimin të dorëzojnë punën, mjetet si dhe arkivat e institucionit. Projektligji shprehet se licencat e dhëna para datës së hyrjes së këtij ligji janë të gjitha të vlefshme. Në lidhje me punonjësit e strukturës së vjetër projektligji parashikon që nëse nuk gjejnë punë në strukturën e re duhet të marrin një shpërblim prej 2 pagash mujore, ndërsa për punonjësit e tjerë zgjidhja e marrëdhënieve të tyre të punës të bëhet në përputhje me nenet 143 e 144 të Kodit të Punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›