E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fondi i Bujqësisë, më pak aplikime sivjet

Ministria e Bujqësisë: I kemi njoftuar fermerët para se të publikohej udhëzimi

Ministria e Bujqësisë pretendon se i ka njoftuar fshat më fshat fermerët për mënyrën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural. “Ndonëse në Fletoren Zyrtare botimi është bërë më 25 shkurt, theksojmë që fuqia ligjore i është dhënë udhëzimit në momentin që ai është firmosur nga të dy ministrat, ai i Bujqësisë dhe ai i Financave. Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, që në fillim të janarit të këtij viti kanë nisur punën për lajmërimin e fermerëve për fillimin e aplikimeve”, thuhet në një deklaratë për shtyp të nxjerrë dje nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në të njëjtën deklaratë thuhet se: Nga të dhënat e marra nga DRBUMK rezulton se deri tani kanë aplikuar rreth 5000 fermerë për mbjelljet e reja dhe në dhjetëditëshin e parë të marsit do të bëhet vlerësimi i aplikimeve dhe shpallja e fituesve, të cilët do të njoftohen nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rajonal.

Sa i përket problemit që ka ngritur gazeta “Shqip” për menaxhimin e fondit të subvencionit, Ministria e Bujqësisë thekson se që nga auditimi i bërë nga kjo ministri deri më sot nuk ka rezultuar asnjë problem që ka të bëjë me keqmenaxhim të këtij fondi dhe se menaxhimi është monitoruar edhe nga organizata të pavarura siç është SNV-ja.

Aplikimet

Por nga Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në qarqet kryesore të vendit vijnë informacione zyrtare që flasin për ulje deri në përgjysmim të numrit të aplikuesve, krahasuar me vitin paraardhës.

Vetëm 124 fermerë kanë aplikuar në Qarkun e Durrësit për të përfituar nga subvencionimi i qeverisë për të nxitur prodhimin vendas, ndërkohë që një vit më parë patën aplikuar 262 fermerë dhe fituar subvencionimin 230 prej tyre. Ndërkohë, mësohet se afati i aplikimit, që skadonte të dielën më 28 shkurt 2010, është shtyrë me justifikimin se dy ditët e fundit të këtij afati kanë qëlluar ditë pushimi.
Sipas statistikës që gjendet në zyrën e bujqësisë dhe ushqimit në Sarandë, vitin e kaluar arriti në 293 numri i fermerëve nga ky rajon që përfituan subvencion nga shteti për investimet e tyre në bujqësi, ndërsa për këtë vit, 77 janë aplikuesit të cilëve u janë pranuar dokumentet për aplikim deri më 28 shkurt.

Në Dibër, Korçë, e Vlorë, numri i aplikimeve është thuajse i njëjtë me vitet e tjera, ndërsa fondet e vëna në dispozicion për programin janë më të larta.

Abuzimet

Edhe në Fier, numri i fermerëve që kanë aplikuar për të përfituar nga fondi i qeverisë për mbështetjen e Bujqësisë është më i vogël se një vit më parë. Gjatë vitit 2009, nga skema e subvencionimit në Qarkun e Fierit përfituan 414 persona, ndërsa aplikimet numëroheshin në mbi 800. Sivjet, sipas drejtorit të DRBUMK të Fierit, aplikuesit janë 750. Por Fieri ka një specifikë tjetër, që pranohet edhe nga drejtuesit e Bujqësisë: Ankesat për shpërndarje abuzive të fondeve.
Ethem Bitaj, drejtor i DRBUMK të Fierit thotë se mes përfituesve të viteve të shkuara ka persona që mund të diskutohen nga media apo dhe nga fermerë të ndryshëm. “Ka pasur fermerë që janë ankuar dhe ne kemi bërë kontrolle të përsëritura”, tha Bitaj.

Burime të gazetës “Shqip” kanë siguruar se për mungesën e transparencës në procesin e subvencionimit në fund të vitit 2009 pranë DRBUMK-së Fier ka mbërritur një ekip i Ministrisë së Bujqësisë. Mësohet se fermerë të ndryshëm nga Qarku i Fierit kanë dërguar letra në ministri, duke ngritur akuza për përvetësim të fondeve nga persona me lidhje politike dhe nepotike me ish-drejtorin e Bujqësisë në Fier, Fatos Troka. Mësohet gjithashtu se në Prokurorinë e Fierit ka nisur një proces hetimor për këtë çështje.

Burimet e gazetës “Shqip” në Fier tregojnë se disa nga personat që kanë marrë fonde i kanë përdorur për qëllime personale dhe nuk kanë mbjellë as pemë frutore dhe as ullinj. Mes tyre përmendet një banor i Fierit që punon si specialist në Ministrinë e Bujqësisë, një punonjës mediash që është i afërm ish-drejtorit të Bujqësisë, si dhe disa drejtues të pushtetit lokal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›