E Diel, 1 Nëntor 2026

Po cenohet liria e fjalës në Kosovë

Reagimi Një grup pedagogësh të universiteteve të Tiranës shprehen kundër gjykimit të Albin Kurtit

Një grup pedagogësh nga Universitetet e Tiranës patën një diskutim me Këshillin Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Grupi i pedagogëve nga universitetet e Tiranës u shpreh:
Që prej shkurtit të 2007-s në Kosovë është mbajtur pezull çështja e dy demonstruesve të “Vetëvendosjes” që humbën jetën prej plumbave të policëve të UNMIK – njësia rumune. Sipas deklaratave të specialistëve e të shumë organizatave ndërkombëtare, ndër të cilat “Amnesty International”, përgjegjësia për dhunën bie mbi forcat policore, të cilat nuk respektuan kriteret e sigurisë. Ende sot nuk është vendosur përgjegjësia për humbjen e jetës së dy qytetarëve të Kosovës, Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Përkundrazi, institucionet e drejtësisë të drejtuara nga EULEX kanë riaktualizuar gjyqin e nisur nga UNMIK ndaj Albin Kurtit”. Grupi i pedagogëve ka protestuar kundër gjyqit që ka nisur ndaj Albin Kurtit, i cili shënon një përpjekje për të cenuar integritetin politik dhe për të shtypur lirinë e fjalës të një aktivisti të çështjes shqiptare, siç është lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”. “Në vizionin tonë, Kosova duhet të konsiderohet si një shoqëri e aftë për të marrë vendime sipas vullnetit të qytetarëve të vet. Institucionet ndërkombëtare apo vendore nuk mund të shkelin në asnjë mënyrë të drejtat themelore të individit, siç është ajo e fjalës dhe e organizimit politik.

çështja e Albin Kurtit është çështje që i përket çdo intelektuali dhe çdo qytetari që aspiron lirinë e drejtësinë. Kjo çështje gjithashtu na bën të ndihemi të shqetësuar për lirinë e fjalës në Kosovë. Pikërisht për këto arsye ne, si pedagogë, e mbështesim kauzën e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit”, thuhet në qëndrimin e tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›