Opozita në krah të Presidentit: Mos bjer pre e shantazheve të Berishës
TIRANË – Partia Socialiste i ka kërkuar kreut të shtetit, Bamir Topit që të mos bjerë prej e shantazheve të kryeministrit Berisha. Apeli është lëshuar vetëm 24 orë pas sulmit që mazhoranca nisi për presidentin Topi në lidhje me përfundimin e mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarit të saj, Vladimir Kristo. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri iu drejtua publikisht presidentit Topi që “të mos e tolerojë më tutje praktikën e gjuetisë së shtrigave ndaj kandidaturave që nominon për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë”. Sipas Tahirit, mazhoranca ka hapur një krizë të re në vazhdën e krizave që pasojnë, si ajo që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kriza ekonomike në të cilën është zhytur vendi”.
Apeli
Ndërhyn opozita në përplasjen mes mazhorancës dhe kreut të shtetit. Partia Socialiste del në mbështetje të kreut të shtetit pas sulmit që deputeti i PD-së, Eduard Halimi bëri ndaj kreut të shtetit për përfundimin e mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen e publikut nga kriza e vërtetë e transparencës së munguar mbi zgjedhjet e vjedhura e mbi ekonominë kapur nga e njëjta familje në pushtet, sidomos pas daljes me turp nga beteja antikombëtare për uzurpimin e Shërbimit Sekret, Sali Berisha ka hapur një krize të re me Presidentin e Republikës”, - tha deputeti Saimir Tahiri. Sipas tij, “shprehje e këtij konflikti është edhe kriza e hapur dje (të mërkurën, - shën. red.) nga Sali Berisha, mes pushtetit të vjedhur të 28 qershorit dhe Presidentit të Republikës, të cilit i bëjmë thirrje të mos bjerë pre e shantazhit të Sali Berishës dhe të mos e tolerojë më tutje praktikën e gjuetisë së shtrigave ndaj kandidaturave që nominon për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë.
Konflikti
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi akuzoi dy ditë më parë kreun e shtetit se ka shkelur afatet kushtetuese në lidhje me mosdekretimin, sipas tij të 4 anëtarëve dhe të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilit ka përfunduar që më 4 qershor. Sipas Halimit, ky është një rast i paprecedentë i shkeljes së Kushtetutës. Më tej, në emër të Komisionit të Ligjeve, Halimi i kërkon Presidentit të dekretojë sa më parë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij. Vetëm pak orë më vonë reagoi këshilltari i kreut të shtetit, zoti Spiro Peçi, i cili i cilësoi akuzat e PD-së të pavërteta. Peçi argumentoi se, në bazë të Kushtetutës, zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese duhet bërë nga radhët e anëtarëve të kësaj gjykate, por katër prej 9 anëtarëve i ka përfunduar mandati. Pra, më parë duhet të zgjidhen katër anëtarët, të cilëve iu ka përfunduar mandati dhe më pas të zgjidhet kryetari i Gjykatës. Më tej, Peçi tha se në këtë veprim nuk shkelje të Kushtetutës, për shkak se Gjykata vazhdon të funksionojë dhe se funksioni i kryetarit të Gjykatës është i njëjtë më atë të anëtarëve. Madje, ai bëri me dije se i ka kërkuar kreut aktual të Gjykatës, zotit Vladimir Kristo që të rikandidojë, propozim i refuzuar prej këtij të fundit. “Ju bëj me dije se ky proces do të përfundojë që në ditët e para të shtatorit, me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë”, - tha këshilltari juridik, Spiro Peçi.
Por, zanafilla e konfliktit lindi që kur kreu i shtetit propozoi tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dhe Kuvendi dha pëlqimin për dy prej tyre; Bashkim Dedja dhe Altina Xhoxhi, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Vangjel Kostës, me argumentin se ka dhënë vendime politike gjatë kohës së diktaturës komuniste. Një praktikë e tillë u ndoq edhe me anëtarët e Gjykatës së Lartë, gjë që i hapi rrugën acarimit të mëtejshëm të raporteve mes mazhorancës dhe presidentit të dalë prej saj në vitin 2007. Vetë Gjykata Kushtetuese ka qenë në shënjestër të sulmeve të mazhorancës gjatë gjithë këtyre viteve pasi i janë rrëzuar mbi 22 nisma ligjore gjatë pesë viteve të fundit nga trupa e anëtarëve të saj.
KUSHTETUTA PËR GJYKATËN KUSHTETUESE
Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
ANËTARËT
Dr. Vladimir Kristo, – kryetar, i emëruar anëtar në vitin 2007
Zgjidhet kryetar i Gjykatës Kushtetuese në qershor 2007
Petrit Plloçi, - anëtar, i emëruar në detyrë që prej vitit 2001
Prof. As. Dr. Xhezair Zaganjori, - anëtar, i emëruar që prej vitit 2003
Dr. Vitore Tusha, - anëtare, e emëruar që prej vitit 2008
Dr. Sokol Sadushi, - anëtar, i emëruar që prej vitit 1998
Sokol Berberi, - anëtar, i emëruar që prej vitit 2007
Admir Thanza, - anëtar, i emëruar që prej vitit 2009
Bashkim Dedja, - anëtar, i emëruar që prej vitit 2010
Altina Xhoxhi, - anëtare, e emëruar që prej vitit 2010
(Burimi: faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese)
PS akuzon sërish guvernatorin Fullani: Ulja e normës së interesit, e vonuar
Opozita e ka konsideruar të vonuar dhe pa efekte pozitive për ekonominë e vendit uljen e normës së interesit të lekut me 0.25 pikë përqindje nga Banka Qendrore, duke e konsideruar këtë hap si plotësim dëshire për qeverinë. Përmes një deklarate zyrtare, deputetja socialiste, Mimi Kodheli tha dje se “ulja e normës së interesit që lajmëroi guvernatori është, jo vetëm shumë e vonuar, por nuk asnjë gjasë të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike”. Sipas saj, “kriza e ka vënë poshtë vendin dhe e ka lënë prapa qeverinë, e cila nuk e ndjek dot ritmin e përshpejtuar të krizës, sepse kërkon ta fshehë atë, ndërkohë që vetëm grabit e dëmton për interesat e oborrit të pushtetit”.
PS shigjetoi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zotin Fullani, duke e konsideruar vendimin e dy ditëve më parë për uljen e normës së interesit, si një “plotësim dëshire për qeverinë, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndihmuar pushtetin e Sali Berishës”.
Zonja Kodheli tha se guvernatori Fullani pranoi “atë që shqiptarët provojnë përditë në kurriz, për shkak të keqqeverisjes: Ecuria e konsumit të brendshëm është e ngadaltë: Investimet private janë në rënie: Reduktimi drastik i investimeve publike e ka tkurrur rëndshëm ekonominë”. Qëndrimi i djeshëm i PS-së përkeqëson më tej raportet mes opozitës dhe Bankës Qendrore pas rastit të blerjes së Hotel Dajtit prej saj tek qeveria për një shumë prej 30 milionë eurosh. Opozita e konsideroi një blerje jo-transparente, e cila shkel autonominë e institucionit qendror financiar në vend.
30 Korrik 2010