E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria kundër aleancës së Rusisë me Perëndimin

(Vijon nga numri i kaluar)

TIRANË - Por cila është kjo vijë që Nikita Hrushovi është përpjekur dhe po përpiqet t’ia imponojë lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare dhe të cilën ai e trumbeton me bujë të madhe si një vijë marksiste-leniniste krijuese? Në të vërtetë, me gjithë demagogjinë e tij, ajo është një vijë fund e krye revizioniste e oportuniste, që i ka sjellë dhe i sjell një dëm shumë të madh kampit socialist, lëvizjes komuniste ndërkombëtare, luftës revolucionare e çlirimtare të popujve kundër imperializmit, çështjes së paqes, lirisë, demokracisë e socializmit. Në propagandën e tij, dhe veçanërisht në atë të kohëve të fundit, grupi i Nikita Hrushovit, duke vazhduar përhapjen e tezave të tij antimarksiste, përpiqet të provojë me lodra fjalësh se gjoja pikëpamjet dhe veprimet e tij u përgjigjen plotësisht Deklaratave të Moskës, mësimeve leniniste dhe interesave të kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Kështu p.sh. grupi i Nikita Hrushovit thotë se gjoja udhëhiqet nga fryma leniniste e luftës së papajtueshme kundër imperializmit dhe përsërit disa konkluzione të Deklaratave të Moskës se thelbi antipopullor e grabitqar i imperializmit nuk ka ndryshuar, se imperializmi amerikan kryen tani funksionet e xhandarit ndërkombëtar, se imperializmi, për shkak të thelbit të tij grabitqar, nuk mund të çlirohet nga tendenca për t’i zgjidhur kontradiktat në arenën ndërkombëtare me anën e luftës. Por si përputhen këto me deklaratat e mëparshme dhe me të gjitha veprimet e Nikita Hrushovit? A nuk është Nikita Hrushovi ai që gjatë shumë viteve është përpjekur të mbjellë iluzione mbi gjoja ndryshimin e natyrës së imperializmit e të krerëve të tij dhe mbi këtë bazë të ndërtojë tërë qëndrimin e veprimtarinë e vet? Është pikërisht ai që pa marrë parasysh thelbin grabitqar të imperializmit, ka deklaruar mëse një herë se qysh sot mund të krijohet bota pa armë, pa ushtri e pa luftëra, se viti 1960 do të hyjë në histori si viti i fillimit të realizimit të kësaj ëndrre shekullore të njerëzmit. (Biseda e Nikita Hrushovit me drejtorin e gazetës argjentinase “Klaren” më 30 dhjetor 1959), se qysh në kohën e tanishme po krijohet mundësia reale për të përjashtuar përfundimisht e për gjithnjë luftën nga jeta e shoqërisë. Është pikërisht Nikita Hrushovi ai që ka deklaruar se imperialistët e kanë marrë seriozisht thirrjen tonë për garë në zhvillimin ekonomik... Ne po i tërheqim vazhdimisht vendet kapitaliste në rrugën e garës paqësore midis dy sistemeve, se tani çështja shtrohet kështu: cili sistem do të tregojë një vitalitet më të madh, d.m.th. cili sistem në kohën më të shkurtër do t’u japë popujve më shumë të mira materiale e shpirtërore. (Artikulli i Nikita Hrushovit në revistën “Komunist”, Nr. 12 gusht 1962.) Në kundërshtim flagrant me ato që thuhen në dy deklaratat e Moskës mbi imperializmin amerikan dhe krerët e tij, Nikita Hrushovi, para moskovitëve, para gjithë popullit, para qeverisë dhe partisë, deklaroi pas kthimit nga vizita e tij në SHBA se Presidenti i SHBA-ve, D. Ajzenhauer, do sinqerisht të likuidojë gjendjen e luftës së ftohtë dhe se gëzon besimin absolut të popullit të tij. (Fjalimi i Nikita Hrushovit në mitingun e punonjësve të Moskës më 28 shtator 1959.) Duke lavdëruar Ajzenhauerin, Makmilanin e De Golin, Nikita Hrushovi ka thënë se “të gjithë ata e kuptojnë nevojën që t’i shërbejë uljes së mëtejshme të tensionit ndërkombëtar dhe zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare me rrugën e bashkëbisedimeve e jo me anë të luftës”. (Fjalimi i tij në Azerbajxhan më 25 prill 1960.) Nikita Hrushovi nuk i ka kursyer lëvdatat edhe për pasardhësin e Ajzenhauerit, presidentin Kenedi. Bile edhe në ditët e rënda të krizës së Karaibeve, kur Kenedi dhe qeveria e tij treguan hapur fytyrën e tyre prej luftënxitësi e agresori, Nikita Hrushovi, në mesazhin e tij të 27 tetorit 1962, i shkruante atij: “Unë shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen time për kuptimin nga ana juaj të përgjegjësisë që bie tani mbi ju për ruajtjen e paqes në gjithë botën”. Sipas deklaratave të Nikita Hrushovit, lufta nuk është pjellë e imperializmit, e politikës së tij agresive, por rreziku i saj ardhka vetëm nga disa të çmendur, nga disa të tërbuar, “të cilët preferojnë më mirë të vdesin në kapitalizëm, sesa të rrojnë në komunizëm”. Dhe, sipas tij, janë pikërisht këta njerëz ata që bëjnë presion të fortë mbi presidentët paqësorë (që dëshiruakan të jetuakan në komunizëm) dhe mbi qeveritë e SHBA-ve e të vendeve të tjera imperialiste dhe që i shtyjnë ata të ndjekin disa herë një politikë të jashtme jopaqësore. Bile Nikita Hrushovi ka arritur deri atje sa të shpifë se rreziku i luftës vjen sot dhe nga njerëzit që e heqin veten marksistë-leninistë, por që në të vërtetë janë dogmatikë dhe nuk besojnë në fitoren e socializmit.

Në numrin e së martës do të lexoni:
Kush janë deklaratat më të bujshme që ka bërë Hrushovi

Çfarë ka thënë ai për Shtetet e Bashkuara dhe Luftën e Ftohtë

Si e shikon ai çështjen e marksizëm-leninizmit

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më 18 prill 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›