Fondi i ish-galerisë del në dritë
Dita ndërkombëtare e muzeve kujtohet në Durrës me një ekspozitë që zbuloi nga pluhuri një pjesë të fondit të Galerisë së Arteve të qytetit. Ndërsa galeria u mbyll në fillim të viteve ‘90 menjëherë pas kalimit të objektit në duart e pronarit, fondi i pasur i saj prej 1040 punimesh në pikturë, grafikë dhe skulpturë u varros në një magazinë, pa mundur të shohë dritën e ekspozimit. Emërimi i Edmond Agollit në krye të Muzeut Etnografik të Durrësit, që ndodhet në shtëpinë ku dikur jetoi për pak kohë aktori me famë ndërkombëtare, Aleksandër Moisiu, e zhvarrosi një pjesë të fondit të artë, duke e vënë në dispozicion të dashamirësve të artit figurativ. Ndërkohë dhe nevoja për rikonstruksionin e këtij muzeu është evidente, pasi prej shumë vitesh në të nuk janë kryer punime për mirëmbajtjen. Duke përzgjedhur 18 majin, ditën ndërkombëtare të muzeve, muzeu etnografik çeli jo vetëm dyert e tij, po në mure u shfaqën dhe pikturat e artistëve të mëdhenj të penelit si Abdurrahim Buza, Foto Stamo, Nikolet Vasia, Gavril Priftuli etj., që i përkasin fondit të galerisë së dikurshme të arteve figurative të Durrësit, e cila nuk ekziston më. Drejtori Agolli ka shfrytëzuar këtë ditë për të apeluar nevojën që ka qyteti dhe fondi me vepra artistike për një galeri publike. Gjatë rikonstruksionit të pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" në Durrës u tha se ambientet e tij do të viheshin në dispozicion për krijimin e një galerie arti, po mbyllja e rikonstruksionit tregoi një cilësi të dobët punimesh dhe ambiente aspak të trajtuara nga firma zbatuese. Në ekspozitën e çelur në Muzeun Etnografik u ekspozuan edhe disa nga pikturat e dhuruara nga artistë italianë për galerinë e artit "Ibrahim Kodra", veprim që pasoi mbërritjen në atdhe të eshtrave të piktorit të madh që jetoi dhe punoi kryesisht në Itali. Janë 130 punime në pikturë të autorëve italianë, që gjithashtu rënkojnë nën peshën e njëra-tjetrës në magazinën e errët të artit, në kërkim të një galerie të munguar. Drejtori Agolli tha për "Shqip" se çelja e kësaj ekspozite synon të sensibilizojë të gjithë pushtetarët, qytetarët dhe biznesmenët për të hedhur sytë nga arti figurativ dhe zgjidhur problemin e mungesës së një galerie publike në qytet, ku të ekspozohen të gjitha punimet që janë pjesë e fondit të saj të trashëguar nga e kaluara, po dhe të krijuara në vitet që pasuan ndryshimin e sistemeve. Pushtetarë vendorë dhe qendrorë që vizituan ditën e djeshme ekspozitën dhanë mesazhe pozitive për një rikonstruksion të shtëpisë-muze, po dhe për galerinë e munguar të artit në Durrës. Ekspozita në ambientet e Muzeut Etnografik do të qëndrojë e hapur edhe gjatë javës në vazhdim, ndërsa Agolli dhe stafi i tij mendojnë që gjatë sezonit turistik të organizojnë një panair të kulturës dhe të artit për të shpalosur para pushuesve gjithë vlerat që ruan qyteti bregdetar.