E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi i rrugës

 

Tregojnë një histori të ndodhur në selinë e qeverisë shqiptare, dy vite më parë. Një grup ndërtuesish, ishin thirrur në zyrën e kryeministrit Sali Berisha për të dhënë premtimet për mbarimin e rrugës Durrës-Kukës-Morin. Pasi i pyeti për shëndetin, Kryeministri hyri direkt dhe në temë dhe iu drejtua njërit prej sipërmarrësve që ka fituar disa Lote në segmentin Kalimash-Morin.

-Kur e mbaroni ju segmentin që keni marrë?

-Ne z.Kryeministër jemi mirë, po të tjerët, si puna e atyre urave, janë shumë mbrapa.

-E kur parashikohet të mbyllet kjo punë?

-Me kto` ritme, në 2012-ën them unë,- u përgjigj ndërtuesi.

-Si the, më 2012-ën?!- brofi Kryeministri.

-Për mu` është e mbaruar në afat, po siç ju thashë, ata të veprave të artit janë shumë mbrapa,- u përgjigj sërish ndërtuesi.

Dy ditë më parë Berisha ishte vetë atje, pasi kishte dërguar më parë disa grupe deputetësh dhe grupe xhirimi për të parë këtë “mrekulli’ të inxhinierisë së sotme. Atje tha edhe shprehjen e famshme: “Një mik i imi i shquar që kishte treguar një lloj skepticizmi për ndërtimin e kësaj rruge, erdhi dhe vizitoi rrugën. Më tha dy gjëra: nuk kam parë kurrë në jetën time një vepër të tillë inxhinierike dhe, e dyta: këtë mund ta bëjë vetëm “Bechtel”. Me një kënaqësi shumë të madhe, më kërkoi që sa më shumë njerëz të vijnë ta vizitojnë”. Prej dy ditësh, shumë njerëz kanë filluar të vënë baste në Tiranë më shumë se për ndeshjet e Kampionatit Europian, se kush është ky miku i shquar i Berishës dhe sa lidhje ka ky me fondet kolosale që kërkon ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash.

Sipas një artikulli të agjencisë amerikane të lajmeve “The Associated Press”, shkruar në 7 tetor 2006, kontrata mes qeverisë shqiptare dhe “Bechtel-Enka” ishte për 531 milionë dollarë dhe fondet do të siguroheshin nga buxheti i qeverisë, institucionet ndërkombëtare dhe bankat.

Sipas Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, rruga dhe tuneli që nisën në 30 tetor 2006, do të përfundojnë në 30 qershor 2009. Kostoja do të jetë 418 milionë euro, pa TVSH, dhe financimi do të bëhet nga buxheti i shtetit dhe me kredi tregtare nga bankat.

Qeveria do të japë një pjesë të fondit të privatizimit të ARMO-s për rrugën dhe ka marrë 220 milionë euro kredi tregtare nga bankat greke, si dhe ka devijuar fondet e të gjitha projekteve të tjera që ta presë shiritin në qershor 2009. Sigurisht, nëse bëhet!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›