E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk deklaruan pasurinë, kallëzim penal 11 personave

Tiranë- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dërgoi sot në organin e Prokurorisë kallëzim penal për 11 subjekte, të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private, detyrim që duhej të plotësohej deri më 31.3.2008.

Sipas burimeve të zyrës së shtypit të institucionit, ndaj këtyre subjekteve, Inspektorati i Lartë ka vendosur më parë masën administrative ”gjobë”, si edhe i ka paralajmëruar për pasojat ligjore që shoqërojnë refuzimin për deklarim.

“Më 5.5.2008, Inspektorati aplikoi masën administrative ”gjobë” për 70 subjekte, të cilët nuk e dorëzuan në afat deklaratën e interesave private. Pas rakordimeve të kryera në Regjistrin Themeltar të institucionit, rezultoi se deri ditën e sotme nuk e kishin plotësuar detyrimin ligjor 11 subjekte të niveleve të ndryshme”- bëri me dije zyra e shtypit.

Në listën e personave të kallëzuar penalisht, renditen punonjës të tatimeve dhe kryesisht kryetarë komunash.

Inspektorati ka komunikuar zyrtarisht me subjektet, si edhe i ka njoftuar më shumë se njëherë edhe nëpërmjet medias për plotësimin e detyrimit ligjor.

Por, duke mos pasur asnjë reagim, Inspektorati i Lartë dërgoi sot kallëzim penal 11 zyrtarët, bazuar në nenin 257/a të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, sipas të cilit ” Refuzimi për deklarim ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Lista e zyrtarëve të kallëzuar penalisht

MirandaRoshi

ArbenTole

DetarHysi

Taulant Zeneli

AgimQevanaj

ArjanDhimo

VlashGega

SokolCubi

DritanDuka

GencDrita

IsmailMurtaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›