Patatet e Kukësit
Ilmiu, një bashkëpunëtor i “Spiunit” mori dje në telefon nga Kukësi. “Qajeni pataten e mirë të Kukësit, sepse këtu po shuhen edhe njerëzit,- tha Ilmiu.- Fajin e ka Qeveria.
-Ç’lidhje ka qeveria me pataten?
-Ka - tha Ilmiu dhe filloi të bëjë “skanimin” e vizitës së Berishës në Kukës: “Depoja e patateve dhe tregu ishin projektuar nga qeveria e Nanos, por u inauguruan nga Berisha, sepse donin ta rrëmbenin tenderin disa në qeveri; tregtarët janë detyruar me dhunë të futen në tregu, sepse nuk i duan taksat e larta; qeveria nuk ka hapur asnjë vend të ri pune; në Kukës qeveriset mbi baza të pastra nepotizmi dhe konfliktesh interesi; deputeti ynë duket si ai shefi i kuadrit të dikurshëm”.
“Spiuni” hapi lajmet e qeverisë: “Duke iu referuar tarifave të larta të vendosura për tregun, Kryeministri tha se zyrtarët kishin vënë shifra stratosferike, saqë edhe një qeveri socialiste do ta kishte të vështirë t`i vendoste, e jo më pastaj qeveria e tij e cila është për taksa dhe tarifa të ulëta.“Për këtë problem, biznesi kishte 100 % të drejtë që ankohej. Nuk mund t`i vendosësh biznesit 20 mijë lekë për metër katror në periferi të qytetit të Kukësit”,- shprehej Berisha tre ditë më parë në Kukës. Po pse i mbyllën qepenat atëherë tregtarët?