Zyrtare, Ledian Memushaj te Paganeze
Ledian Memushaj është zyrtarisht lojtar i Paganezes në Divizionin e Parë të Ligës Pro Italiane (Seria C). Lajmi për transferimin e mesfushorit vlonjat, që gjatë sezonit të kaluar është aktivizuar me Vale D‘Aosta në Serinë D (me të cilën ka realizuar 3 gola në 34 takime), u dha nga klubi i Provincës së Salernos. "Paganeze lajmëron se ka zgjidhur problemet burokratike rreth federimit të mesfushorit shqiptar, Ledian Memushaj. Tashmë, lojtari i lindur në Vlorë do të jetë në dispozicion të trajnerit Pensabene, duke filluar që prej sfidës së të dielës kundër Filjones", shkruhej në faqen zyrtare të klubit. 22-vjeçari bëhet lojtari i dytë shqiptar që militon në Ligën Pro, pas Samir Ujkanit te Novara. Kjo kategori është e ndarë në dy grupe (Divizioni i Parë dhe i Dytë) me nga 18 skuadra. Ekipi që klasifikohet i pari në secilin grup ngjitet direkt në Serinë B, ndërsa skuadrat nga vendi i 2-të në të 5-in luajnë në "play-off".