Forbes: Merkel, gruaja më e fuqishme e planetit
Anxhela Merkel, kancelarja gjermane, është vlerësuar për të katërtën herë radhazi si gruaja më fuqishme e planetit, edhe për vitin 2009, nga revista e përjavshme “Forbes”. Në dhjetëshen e parë pas saj renditen vetëm menaxhere të fuqishme dhe presidente kompanish. Gratë e tjera të politikës qëndrojë shumë larg Merkelit, sipas renditjes së “Forbes”-it. Kështu, Hilari Klinton ka zbritur nga vendi i 28-të ku qëndronte vitin e kaluar në vendin e 36-të për këtë vit. Ndërsa zonja e parë amerikane, Michelle Obama hyn për herë të parë në klasifikim duke u renditur në vendin e 40-të. Sipas “Forbes”, klasifikimi është bërë duke pasur parasysh ndikimin politik dhe ekonomik të kandidateve dhe paraqitjet e tyre në media. Mes emrave më të vlerësuar të “Forbes” është Sheila Bair (e dyta), presidente e shoqërisë amerikane që siguron depozitat federale, francezja Anne Lauvergeon, presidente e grupit nuklear francez “Areva” (në vendin e nëntë) dhe amerikania Irene Rosenfeld, presidente e “Kraft Foods” (e gjashta). Ministrja franceze e ekonomisë Christine Lagarde renditet në vendin e 17-të, ndërsa presidentja argjentinase, Cristina Fernandez është e njëmbëdhjeta. Mbretëresha Elisabeta e Anglisë është vlerësuar nga “Forbes” baraz me vendin e 42-të në klasifikim. Në renditjen e 100 femrave më të fuqishme hyjnë shumë gra të administratës Obama. Ndërsa ish-sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, që deri vjet ishte në vendin e 15-të, këtë vit ka dalë fare nga lista e “Forbes”.