Klubet kundërshtojnë të drejtën TV: Është absurde
Leonard Karaj
E drejta televizive rezulton të kthehet në një flluskë sapuni. Kjo, për faktin se kontrata e ofruar nga kompania UFA Sports, me qendër në Hamburg, Gjermani, është kontestuar fuqishëm nga disa klube të Kategorisë Superiore.
Sipas këtyre të fundit, kjo kompani me pretekstin e dhënies së të drejtës televizive tenton të marrë në mënyrë ekskluzive dhe për një periudhë të gjatë kohore, plot 4-vjeçare, edhe të gjitha burimet që rrjedhin nga logot dhe reklamat e klubeve. Mbledhja e organizuar ditën e mërkurë në Federatën Shqiptare të Futbollit me disa nga klubet e kampionatit shqiptar nuk zgjidhi asgjë, përsa i përket të drejtës televizive, pasi shumica e klubeve kundërshtuan shumë pika të kontratës së ofruar. Kompania UFA Sports nëpërmjet FSHF ofroi shumën prej 300 mijë eurosh për të gjitha klubet e Superligës dhe Kategorisë së Parë (natyrisht këto të fundit do të përfitojnë shumë më pak se ato të Superiores). Nga këto 240 mijë euro do të ndaheshin mes klubeve, shifër kjo që përkon me 80 % të shumës së mësipërme. 37 mijë e pesëqind euro (12.5 %) do të jepen në formë shpërblimi për vendin në klasifikim që do të zërë secila skuadër dhe 22 mijë e pesëqind euro (7.5 %) do të jepet në formë shpërblimi për skuadrat që arrijnë sukses në arenën ndërkombëtare. Nga klubet kjo shifër është parë si shumë qesharake. Aq sa pjesëtarë të këtyre të fundit kanë ironizuar me batuta, se shifrën e mësipërme e ofronin ata të kompanisë vetëm që ajo të transmetonte ndeshjet e skuadrave të tyre. Por kundërshtitë vazhdojnë edhe me pika të veçanta të kontratës. Pika 4 e nenit 2, ku thuhet se: “FSHF i transferon UFA Sports të drejtën ekskluzive që të përdorë emrin zyrtar dhe logot e klubeve të futbollit që marrin pjesë në aktivitetet kombëtare për shfrytëzim, marketing dhe shpërndarje” kundërshtohet totalisht nga Tirana dhe Vllaznia. Sipas klubeve, kjo gjë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një vjedhje, pasi me nënshkrimin e një kontrate të tillë klubeve do t’u hiqej çdo e drejtë mbi reklamat në stadium, reklamat në bluza e deri tek përdorimi i logos së tyre. Për këtë arsye Vllaznia ka dërguar një faks në FSHF me kundërshtitë e saj por edhe Tirana pret që oferta e UFA Sports të ribëhet në kushte krejt të tjera.