Forca e vërtetë e një bashkimi
Në një mjedis shumë simbolik, si shkolla e mesme e Tiranës, “Faik Konica”, këto ditë u bë realitet nisma e bashkimit të mjaft shoqatave kulturore e atdhetare, që funksionojnë në trojet shqiptare. Në të përnjëherë na shkoi në mendje mësimi i madh i Konicës së mençur, i diplomacisë së tij që, edhe pse kanë ndryshuar kohët e kushtet historike, përsëri mbetet aktuale për largpamësinë, për erudicionin, për shërbesën e madhe ndaj atdheut. Natyrisht, të “konkurrosh” me idetë e Konicës së madh, sot është një guxim intelektual shumë i lakmueshëm, por është edhe po kaq e domosdoshme për të kryer detyrat ndaj së sotmes e së ardhmes. Ndaj i dhamë plotësisht të drejtë Baftjar Dobit për atë shqiptarizëm të spikatur, për atë urtësi të madhe gjirokastrite e një dëshirë të madhe patriotike, të tillë që mund ta përcjellë edhe në çdo vend të Shqipërisë kur tha: “A kishte parti kur u formua shkolla e parë shqipe? Sa shembull të mirë na jep të gjithëve Kuvendi i Lezhës për bashkimin tonë! Shoqatat e dikurshme me theks të fortë atdhetar, si “Vëllazërimi”, “Atdheu” “Bota e re” “Vatra”, “Drita” etj., kishin në themele urtinë, sakrificën dhe idealizmin e madh të atyre që i krijuan, që i drejtuan dhe që i jetësuan me veprimtaritë e tyre kulturore, atdhetare, në shërbim të kombit. Të gjithë pjesëmarrësit e këtij Kuvendi nismëtarësh të një bashkimi mbarëkombëtar shoqatash ranë në një mendim, se objektivat që ka kombi ynë në këtë fillimshekulli të ri, ose të themi më mirë në këtë udhëkryq që ai po futet, tani mund të bëhen më mirë duke pasur edhe këtë organizëm të ri. Me të drejtë duhet thënë se ka nevojë për Vranickë të rinj. Të gjithë jemi dëshmitarë të lojërave të fjalëve që sheh sot në mjetet mediatike të vendit për problemin e hapjes së kutive që duket i lehtë për secilën palë në veçanti, por që po bëhet edhe më e vështirë për t’u zgjidhur. E themi këtë se, për fat të keq, në zgjidhjen e konflikteve politike të kohëve të fundit, por edhe më parë, faktori ndërkombëtar vazhdon të jetë një arbitër i kërkuar shumë. Përtej parimeve shumë të mira të një bashkimi vlerash politike, sociale dhe kulturore, që do të evidentohen nga ky bashkim shoqatash, do të vijnë natyrshëm problemet organizative që ka secili organizëm i ri për të nisur rrugën e tij. Duhet menduar që tani për një grup juristësh të aftë, për një grup publicistësh të aftë dhe të ndershëm për trajtimin e një tërësie problemesh, për një drejtim profesional të atyre mendimeve që do të sjellë baza e rretheve prej nga vijnë këto shoqata në këtë bashkim. Përtej këtyre dukurive që janë shumë të njohura e që kërkojnë përkushtim nga të gjithë, duket se ky bashkim përbën risinë e re të jetës sociale të trojeve amtare.
Një nga kryefjalët e platformës së tyre është fjalia: “Jemi mbledhur të bëjmë Shqipërinë”. Një mendim lapidar për këtë kohë që po jetojmë, por edhe për të ardhmen. Urojmë që filizat e mendimit, të idealizmit që është ende i gjallë në këtë vend, të shohin ndryshime të reja. Baftjar Dobi, ky nismëtar i parë i këtij tubimi, i matur në maturinë e fjalës, të përvojës me njerëzit, i mençur me tërë ato libra e shkrime të bukura për Gjirokastrën e Shqipërinë, duket se na e ngroh edhe më shumë optimizmin tonë e të atyre që po nisin një rrugë të bukur, një rrugë të vështirë, një rrugë të domosdoshme për të gjithë.
#