E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat e fundit amerikane tërhiqen nga Iraku

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se konvoji i fundit i trupave amerikane ka kaluar nga Iraku në Kuvajt, duke kompletuar kështu tërheqjen e forcave amerikane ushtarake përfundimisht nga ky vend.

Kolona e fundit prej rreth 100 automjetesh të blinduara, që mbanin rreth 500 trupa amerikane është raportuar të ketë kaluar shkretëtirën jugore të Irakut në Kuvajt gjatë natës.

Kjo tërheqje vjen gati nëntë vjet pasi ushtarët amerikanë invaduan Irakun, për të rrëzuar regjimin e Saddam Husseinit dhe për të kërkuar armët e shkatërrimit në masë.

Regjimi i Sasdamit u rrëzua, por armët e shkatërrimit në masë që supozohej se i posedonte regjimi i asaj kohe nuk u gjetën kurrë.

Në kulmin e luftës, më shumë se 170 mijë ushtarë amerikane kanë qenë në Irak, në më shumë se 500 baza.

Pothuajse 4500 ushtarë amerikanë dhe më shumë se 100 mijë irakianë kanë vdekur në konfliktin që filloi në mars të vitit 2003.

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se misioni amerikan në Irak ishte një arritje e jashtëzakonshme që shërben si shembull se si amerikanët duhet të punojnë së bashku për zgjidhjen e çështjeve të brendshme të vendit.

Gjatë fjalimit të tij javor, presidenti Obama u shprehu mirënjohje 1.5 milionë amerikanëve që kanë shërbyer në Irak që nga vitit 2003 dhe familjeve të 4.500 ushtarëve që kanë rënë atje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›