E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forlan shou, Atletiko rrëmben kurorën e Europa League

Dopjeta e sulmuesit copëton zemrat e Fulhemit pas 116 minutash lojë plot emocione në Hamburg

Atletiko e Madridit rrëmben kurorën e parë të Europa League pas triumfit 2-1 në Hamburg ndaj Fulhemit të Roi Hodgson dhe heroi quhet Diego Forlan (dopjetë). Kjo përballje u përkufizua si një finale e pazakontë, gjithsesi ajo dhuroi shumë emocione. Të dyja skuadrat zbritën në fushë me synimin për të bërë të vetin një trofe. Për Fulhemin ishte finalja e parë në të gjithë historinë 131-vjeçare si klub. Ndërsa Atletiko synonte trofeun e tretë, pas Kupës së Kupave në vitin 1962 dhe Kupës Interkontinentale në vitin 1974. Që në minutat e para ra në sy një epërsi e lehtë e spanjollëve, të cilët dominonin fushën falë nivelit më të lartë teknik, duke kërcënuar disa herë portën e londinezëve, madje edhe duke tronditur një shtyllë me Forlan. Skuadra e Roi Hodgson u ka rezistuar mirë sulmeve të rrezikshme të Aguero e Forlan, njëkohësisht ka provuar të përdorë kundërsulme të shpejtë për të ndëshkuar. Por furisë së spanjollëve të Atletikos së Madridit, anglezët e Fulhemit i kanë rezistuar për vetëm 32 minuta. Në atë moment ka ardhur edhe goli i avantazhit për Agueron & Co. Një aksion i bukur në krahun e djathtë nga Rejes, që shërben për Simaon. Portugezi ia kalon topin Agueros, i cili provon të gjuajë nga një pozicion qendror, por gjuajtja e tij shndërrohet në një asist për Forlan, që nga një pozicion i dyshimtë jashtë loje shenjëstron nga pak metra, duke mposhtur portierin e londinezëve, Shvarcer. Gëzimi i spanjollëve ka zgjatur pak minuta, sepse shumë shpejt erdhi goli i barazimit për Fulhemin. Në minutën e 37, Zamora penetron në zonë nga e majta dhe pason në qendër për Daf, i cili nuk arrin dot. Topi gjithsesi shkon te Gera, i cili e kthehen sërish në qendër. Mbrojtja spanjolle nuk mundet ta largojë dhe Dejvis tregohet i zoti të realizojë me një të majtë nga dhjetë metra larg portës. Fundi i pjesës së parë i çoi të dyja skuadrat me barazimin 1-1 në dhomat e zhveshjes. Fillimi i së dytës i gjeti të dyja skuadrat në një pozitë më të barabartë. Rastet nuk munguan në të dyja portat, por asnjë gol tjetër brenda 90 minutave të kohës së rregullt. Duhen kohët suplementare për të vendosur. Atletiko është më kërkuese në pjesën e parë shtesë, por vetëm në minutën e 105 ka një shans të artë, të humbur me Agueron vetëm pak centimetra larg shtyllës. Edhe shtesa e dytë është luftarake, por në minutën e 116 Aguero depërton deri në fundore, pason për Forlan në zonë, i cili devijon me një prekje fatale topin në rrjetë dhe Atletiko Madrid është në qiellin e shtatë. Minutat në dispozicion nuk mjaftojnë që Fulhem të ndryshojë. Kurora e Europa League i takon spanjollëve.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›