Maradona dhe Argjentina e tij: Skuadër më e fortë se në vitin 86
Nuk ka qenë një spektakël i denjë për stilin “maradonian”, megjithatë konferenca për shtyp ku u zyrtarizuan 30 argjentinasit që bëjnë pjesë në listën e madhe për skuadrën e Botërorit 2010 ka pasur momentet e saj të ankthit. Më parë, një mbledhje me dyer të mbyllura që zgjati pesë orë ndërmjet Diego Armando Maradonës, presidentit të federatës (AFA), Hulio Grondona dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të trajnerit. Trajneri kishte bërë të ditur se “gjithçka ishte përcaktuar”, por dozat e misterit u rritën edhe për faktin se publikimi i emrave nuk po bëhej, edhe pse mungonin vetëm pak minuta nga afati i përcaktuar për të dorëzuar listën te FIFA. Në fund, pak sekonda pasi ora në Buenos Aires tregonte 19:00 (mesnatë në Gjenevë), në sallën e konferencave, të “pushtuar” nga gazetarët e së gjithë botës, janë shpërndarë fletat me emrat e të përzgjedhurve të Maradonës, të vendosur në mënyrë rigoroze sipas rendit alfabetik. Kaq mjaftoi që përfaqësuesit e mediave të pyesnin ish-“Pibe de Oro” për arsyet e zgjedhjeve të tij, mbi të gjitha për sa i takonte përjashtimeve të lojtarëve si Havier Zaneti e Esteban Kambiaso, por edhe të Gabriel Militos e Fernando Gagos.
Tekniku nuk foli me të pranishmit rreth listës fillestare, gjithsesi, ai dha një intervistë të zgjeruar për kanalin “Fox Sport”. Në bisedën ndërmjet Maradonës dhe Fernando Niembro (gazetarit të vetëm që iu dha mundësia t’i kërkonte shpjegime për zgjedhjet në “seleksion”), u fol gjerë e gjatë për taktikat, por nuk u diskutua asnjë fjalë për emrat e pranishëm dhe të lojtarëve që mungonin. “Kam më shumë besim tek Argjentina e tanishme, sesa te skuadra e vitit ‘86. Të gjithë lojtarët që do të luajnë në Afrikën e Jugut janë në kulmin e karrierës së tyre”, ishin fjalët e drejtuesit të stolit. “Do të luajmë në mënyrë të tillë që Leo Mesi të jetë i lirë për të shpalosur të gjithë fantazinë e tij, ndërsa Huan Sebastian Veron do të jetë Ksavi ynë”, shtoi ai, duke theksuar se gjatë gjithë vitit ka ndjekur paraqitjet e futbollistëve të Argjentinës, të shpërndarë nëpër botë. “Kam ndjekur çdo ndeshje. Herët në mëngjes shikoja kampionatin anglez, e më pas takimet në kampionatin italian dhe atë spanjoll”. Në fund të intervistës Maradona deklaroi: “E di shumë mirë se çfarë i pëlqen tifozëve, por mua, ashtu sikurse edhe atyre, më intereson të fitoj”.