Forma ideologjike e mendimit
Prej kohësh, pjesa e veçantë e individuale e mendimit ka qenë e pandashme nga ajo universale, për arsye historike e shoqërore. Sot, me ndryshimin e botës nga teknologjia i është dhënë një peshë e madhe mendimit ideologjik si formë universale. E ndërsa vetë fjala “ideologji”, që do të thotë teori për idetë, në filozofi, edhe në gjuhën e përditshme përdoret rëndom për të karakterizuar botëkuptime politike-sociale relevante si fashizmi, komunizmi, liberalizmi etj. Më ngushtësisht në filozofi, ideologjia është parë shpeshherë si hija e dijes. Kësisoj, nuk është aspak e çuditshme që filozofia të këtë ndjerë një lloj antipatie ndaj ideologjive, sepse jo rrallë ato fajësohen për konvertimin e tyre në dije agresivisht të qëllimta të papërligjura humane, në dogma të ngushta që nuk lejojnë të shohësh përtej tyre në dijen më të gjerë. Edhe në politikë, ku si të thuash ideologjitë janë më të preferuara, për shkak të funksionit që kryejnë në shpalosjen e ideve dhe synimeve të grupeve të caktuara shoqërore, nuk janë të paktë studiuesit dyshues ndaj kësaj forme të racionalitetit dhe frikës se idetë e paraqitura nën petkun e ideologjive mund të shndërrohen në besime të ngurta. Disa prej tyre, madje, kanë paralajmëruar fundin e ideologjive, si për shembull Sartori.
Nuk është e rastit pra, që disa filozofë bashkëkohorë, si për shembull, Charls Taylor, Jürgen Habermas, Alasdair MacIntyre, Daniel Dennet etj., në teorinë e tyre janë paraqitur mjaft dyshues ndaj mendimit që merr trajta ideologjike. Në linja të trasha, ata e përcaktojnë ideologjinë si një farë njohje të kufizuar, formë e reduktuar e mendimit njerëzor, si ajo pjesë e mendimit që vetëm synon të arrijë disa qëllime e që lë në harresë aftësinë e individit për të reflektuar në mënyrë të pavarur. Mbivlerësimi i kësaj forme instrumentale të mendimit kundrejt të gjitha formave të tjera, e bën këtë lloj arsyeje agresive, pasi të gjitha format e arsyes që nuk janë të gatshme të paraqiten si ideologji, domethënë si një mjet për të arritur qëllime të caktuar konsiderohen prej saj si mendim steril metafizik ose thjesht të pavlera. Ndërsa nga një rrafsh më i ngushtë konkret, ata vërejnë me të drejtë se ideologjitë janë paraqitur jo rrallë si keqpërdoruese të arsyes për qëllime të caktuara manipuluese e sunduese ndaj grupeve të tjera, të cilat shpien në dhunë ndaj arsyes njerëzore, urrejtje e përjashtim të mendimit ndryshe, duke marrë deri dhe trajtat e paranojës.
A mund të thuhet atëherë se ideologjitë janë vetëm të dëmshme? Kurrsesi! Duke pranuar se ideologjitë përmbajnë një pjesë të errët, sepse historikisht ka ndodhur që janë shtënë në punë për t’i shërbyer edhe dhunës njerëzore, (rasti më flagrant ka qenë padyshim ideologjia fashiste dhe ajo komuniste), kritikat filozofike ndaj ideologjive synojnë më tepër të venë në dukje ato dëmtime që mund të sjellë në arsyen njerëzore përdorimi i njëanshëm i disa formave të tyre, të cilat shpesh bëhen detyruese e sunduese për të tjerat. Njëkohësisht ato rreken t’i rivlerësojnë këtë koncept nga një këndvështrim më i gjerë. Këtu thjeshtë po grupoj disa ide që më vijnë pikërisht prej mendimit bashkëkohor për këtë çështje.
Pretendimi që ndeshet më shpesh ndër filozofët (por jo vetëm ndër ta) është se “njohja” që ofron ideologjia bëhet mjaft problematike. Konkretisht, ndërsa për një njeri që mendon në mënyrë të pavarur realiteti shfaqet në formën ideale që ai krijon vetë nga ky bashkëveprim me të, ideologjitë servirin një realitet ideal të gatshëm e të përpunuar nga dikush më lart për shumicën e njerëzve, duke e thjeshtëzuar aftësinë e tyre për të menduar me kokën e vet, e duke i hapur shtegun manipulimit të mendjes.
Po ta shqyrtojmë disi më thellë procesin e njohjes së zakonshme dhe ta krahasojmë me “njohjen” që na ofron ideologjia, do të vërejmë pa vështirësi dallimin e tyre. Domethënë, në traditën e mendimit, qysh prej filozofisë antike e deri në ditët tona, është arritur në një pozitë të tillë, ku për ta njohur sendin ashtu siç është, subjektit normal i duhet të kuptojë se sendi është realisht më shumë sesa di ai për të. Ky proces ka nxitur një lloj kujdesi, në formësimin e ideve, të cilat kuptohen si përfytyrime subjektive të një grupi njerëzish. Kjo gjë duhej të ndodhte edhe me ideologjitë, mirëpo ato shpeshherë i nënshtrohen tundimit për t’u paraqitur si format e mendimit “më objektiv”, “bartëse të së vërtetës” dhe “shprehëse të vullnetit të shumicës”, duke u shndërruar kështu në bërthamën e një mitologjie të re. Argumenti më i mirë për të ilustruar këtë pretendim gjendet në mbivlerësimin e parimit të shumicës, i cili përbën parimin bazë funksional të demokracisë. Për sytë e njeriut mesatar, parimi i shumicës në demokraci shërben shpesh për të zëvendësuar një arsye objektive më të lartë dhe po kështu bën që institucionet e kësaj demokracie të vlerësohen si zbatuese të një arsyeje objektive, duke marrë kështu rolin e Zotit. Vetëm se jo si një forcë që rregullon padrejtësinë, por si një forcë që mund t’i kundërvihet kujtdo që nuk ecën në përputhje më rregullat e kësaj shumice.
Ndërsa Fromi, procesin interesant që ndodh gjatë bashkimit të dhunës njerëzore me ideologjinë, e përshkruante si një përpjekje të liderëve politikë për t’u mbushur mendjen ithtarëve të tyre, se janë të kërcënuar nga një armik. Ky polarizim është mjaft i diskutueshëm, sepse zakonisht çdo grupim luan me paraqitjen e pozicionit të vet si një mbrojtje ndaj sulmeve të palës tjetër. Mirëpo duke, qenë se pjesa më e madhe e njerëzve, nuk mund të grishet për të vrarë dhe vdekur, në qoftë se nuk është e bindur se e bën këtë për të mbrojtur jetën dhe lirinë e vet, krijimi i një bindje e tillë, mbi të gjitha varet nga një mungesë pavarësie e mendimit që nxit ideologjia. Mjafton që një varësi e tillë të ekzistojë dhe gati gjithçka që do të shtrohej para tyre në mënyrë bindëse. Rezultatet psikologjike të një kërcënimi të trilluar bëhen të njëjta me ato të një kërcënimi të vërtetë. E më në fund, njerëzit ndihen realisht të kërcënuar dhe për t’u mbrojtur janë të gatshëm të vrasin e të shkatërrojnë.
Domethënë, ideologjia mund të bëhet një projeksion i gabuar i individit apo një grupi shoqëror që dëshirat e shtypura vetjake, të cilat nuk mund të çlirohen prej subjektit, i paraqet sikur janë tek objekti. Përsëritja monotone e fjalëve dhe e gjesteve, e shoqëron dhe i shërben ngulitjes së ideologjive, duke nxitur një imitim të organizuar pikërisht ashtu si në praktikat e hershme magjike. Prandaj, liderët ideologjikë i përdorin me shumicë gjestikulacione e fjalë të caktuara, për të krijuar imazhin e fortësisë dhe qëndrueshmërisë së tyre përballë të tjerëve.
Nga ana tjetër, subjekti i ndikuar nga një ose disa ideologji të afërta, nuk arrin të rijapë jashtë vetes objektin, ai nuk bëhet më i pasur shpirtërisht nga ky absorbim, por më i varfër duke qenë se aftësia reflektuese e arsyes së tij humbet, meqë kjo arsye nuk reflekton më objektin e jashtëm, por vetëm synimin e njëanshëm që i nxit në mendje dikush. Kështu ajo shuan aftësinë për të diferencuar ndërmjet asaj se çfarë është me të vërtetë reale e gjithënjerëzore, dhe asaj çka përfytyron në kokën e tij si “reale” e “domosdoshmërisht ndikuese”. Në këtë mënyrë ideologjia e ngurtë, e fokusuar frikshëm vetëm tek objekti i ngushtë i interesave dhe qëllimeve të saj, i përngjet psikologjikisht paranojës, për nga kuptimi i shformuar që ka ndaj vetvetes e realitetit. Jo rastësisht, te paranojaku i zakonshëm nuk ekziston mundësia për të zgjedhur ndryshe, sepse ai i bindet rregullave të sëmundjes së tij, po kështu shfaqet ky tipar ad ekstremum në ideologjinë totalitare. Kjo lloj ideologjie i përngjet më shumë paranojës kur e identifikon botën e jashtme me atë çka mendonte në mënyrë të padiskutueshme lideri, ose një grup liderësh. Kundërshtimi i këtij soji paranojakësh është i pamundur, sepse ata nuk mund të ndalen derisa t’i realizojnë, po qe se arrijnë para vdekjes, idetë e tyre. Rasti më i fundit i Millosheviçit na bind për këtë.
Për sa kohë që paranojaku e percepton botën e jashtme ashtu siç i përgjigjet qëllimeve të tij të verbra, ai përpiqet dhe di të ndërtojë njëkohësisht një ideologji të vetën, ku kërkon të shprehë në mënyrë abstrakte dhe të lidhë brenda saj tërë pakënaqësitë e ndryshme të njerëzve ndaj botës, për t’i drejtuar në përmbushjen e qëllimeve të tij të brendshme.
Në këtë pikë ideologjia i shërben në këtë rast përligjjes e shumëfishimit në mënyrë të përsëritur e kudo në botë, unit vetjak të liderit që ka arritur të bashkojë një sërë unë-sh të tjerë të dobët në emër të një ideali të bukur, herë nacionalist e herë globalisto-internacionalist, por që gjithmonë thellë-thellë i vlejnë vetëm projektimit të tij patogjen ndaj botës. Mu këtu shfaqet mungesa totale e reflektimit të arsyes, në kuptimin e matjes, testimit të asaj çka kemi në kokë me atë që na lejon bota natyrore e shoqërore të bëjmë.
Ideologjia tenton t’i gjykojë proceset shoqërore sipas disa koncepteve të ngurta vetjake të një grupi a aq më keq të një njeriu, pa kaluar në rrafshin e gjerë ndërgrupor shoqëror. Një ideolog i këtillë sheh në mënyrë paranojake në realitet vetëm atë që duhet t’i shërbejë qëllimeve të tij. Sistemi i tij dhe të ideologjisë që ai mbron në përgjithësi nuk ka asnjë të çarë, ai është i pagabueshëm e bëhet gradualisht edhe i padiskutueshëm në pretendimet e tij teorike. Hapi tjetër i bërjes së kësaj ideologjie një skemë gjithëshpjeguese të botës për sa më shumë njerëz, fillon e zbatohet sapo ky lloj lideri merr pushtet. Vullneti i saj pretendohet të “depërtojë” gjithësinë, qoftë duke manipuluar me propagandë siç u përmend, qoftë me dhunë.
Meqenëse ideologët gjenden jo vetëm në politikë por dhe në fusha të tjera të shoqërisë, ata e bartin përbashkësisht këtë rrezik, po t’i shohin nga prizmi i dijes që ofrojnë: Si astrologë ata janë të gatshëm të krijojnë “yje” të rinj me forcën e mendjes, si filozofë, për shembull Marksi, ata janë të gatshëm që gjithë historinë ta shohin si luftë e klasave, ose si rënie e degradim (Shpengler), si psikanalistë tradicionalë (Frojdi) ata priren që çdo rast individual ta shpjegojnë sipas skemës që kanë tashmë në kokë. E përbashkëta e tyre konsiston në faktin se ata krijojnë disa “sirtarë” të ngurtë konceptesh e kategorish dhe në çdo moment kanë një përgjigje të gatshme, për çdo dukuri, sado e re dhe e panjohur të shfaqet ajo. Është e vërtetë se ideologjisë ashtu si paranojës shpeshherë nuk i mungon një pjesë e arsyes, ideja, porse asaj i mungon një pjesë tjetër po aq e rëndësishme, reflektimi, prandaj është gjysmake. Pikërisht te kërkimi me ngulm i dobisë në dëm të një vështrimi më të gjerë qëndron një prej kufizimeve bazë të ideologjive. Në vend që të ndahet nga pretendimi i saj absolut për një grup gjykimesh, e të vazhdojë t’i rishikojë a përmirësojë ato me realitetin, ajo zhytet në pretendimin e saj për të qenë absolute, ose më e mira e mundshme. .Prandaj, emancipimi e korrigjimi i ideologjive nga një kuptim më i gjerë i botës që ofron filozofia e qenësishme ose ndryshe “metafizika sterile” siç e quajnë disa ideologë naivë, do ta bënte ideologjinë më të zhdërvjellët në koncepte e më pak megalomane. Ky është një mendim që shtrihet jo vetëm në një rreth të ngushtë filozofësh, tashmë.