Fuqia e butë e OKB-së
VËSHTRIM INSTITUCIONAL
Josif Stalin, dikur shfaqi mosbesimin e vet ndaj rëndësisë së “forcës së butë” duke shtruar pyetjen: “Sa është numri i ushtarëve të Papës?”. Sot, shumë të vetëquajtur realistë janë të mendimit se Organizata e Kombeve të Bashkuara është e pafuqishme, dhe argumentojnë se ajo mund të shpërfillet. Ata gabojnë.
Fuqia është aftësia për të ushtruar ndikim mbi të tjerët, për të arritur rezultatet e dëshiruara. Fuqia e sertë vepron nëpërmjet shpërblimeve dhe detyrimit, pra, nëpërmjet politikës së kulaçit dhe kërbaçit, kurse forca e butë - nëpërmjet joshjes dhe bindjes. Duke mos pasur forcat e veta të armatosura dhe për shkak të një buxheti relativisht të vogël, fuqia e sertë e OKB-së mund të jetë e tillë, vetëm kur ia japin vendet anëtare, dhe neni 2,7 i kartës së saj, mbron juridiksionin suveren të anëtarëve të saj.
Pasi Lidhja e Kombeve dështoi në përmbushjen e rolit të vet në vitet 1930, struktura e OKB-së parashikon që Këshilli i Sigurimit të ketë anëtarë të përhershëm, të cilët duhet të kryejnë funksionin e policit, për të imponuar sigurinë kolektive. Kur fuqitë e mëdha janë marrë vesh mes tyre, OKB-ja pati një fuqi të sertë mbresëlënëse, sikurse u demonstrua në shembujt e luftës së Koresë dhe në luftën e parë në Gjirin Persik. Por raste të tilla ishin më tepër përjashtime. Gjatë Luftës së Ftohtë, Këshilli ishte i ndarë. Sikurse ka thënë një ekspert, e drejta e vetos e anëtarit të përhershëm duhet të përmbushte funksionin e një sigurese në sistemin elektrik: më mirë të fiket drita sesa të digjet e gjithë shtëpia.
Por mundësitë për risi të tilla janë të kufizuara. Pas luftës izraelito-libaneze të 2006-ës, shtetet iu rikthyen paqeruajtësve të OKB-së, si dhe në rastin e problemeve në Kongo dhe Darfur. Por, teksa më tepër se 100 mijë trupa nga vende të ndryshme shërbejnë aktualisht në misionet paqeruajtëse të OKB-së në mbarë botën, shtetet anëtare nuk i kanë furnizuar me burime, trainim dhe pajisje adekuate. Për më tepër, qeveritë kanë gjetur mënyrat për të vonuar operacione efektive ndërkombëtare, sikurse ka ndodhur kjo në Sudan. Mbetet vetëm të shpresohet që Kina, e shqetësuar se tregtia e saj e naftës me Sudanin mund të rrezikojë Lojërat Olimpike 2008, do të ushtrojë më tepër trysni.
Po ashtu, meqenëse Asambleja e Përgjithshme mund të jetë dakord që shtetet të kenë “përgjegjësi për të mbrojtur” (responsibility to protect), shumë vende anëtare kanë shprehur pëlqimin vetëm në kuptimin shumë të kufizuar. Shumë shtete në zhvillim, në veçanti, përpiqen të ruajnë sovranitetin e tyre dhe druhen se parimi i ri mund t’u lejojë të tjerëve t’u cenojnë sovranitetin. Për shembull, pas masave shtypëse të para pak kohëve në Mjanmar (Birmani), Sekretari i Përgjithshëm mundi të dërgojë një përfaqësues të OKB-së në vend, por me fuqi, që kufizoheshin në raportim dhe ndërmjetësim. Kjo mund të jetë e mjaftueshme për të ndikuar mbi disa qeveri, por junta birmane dëboi përfaqësuesin e OKB-së nga vendi, sapo ai paralajmëroi për “një përkeqësim të gjendjes humanitare”.
OKB-ja ka fuqi të konsiderueshme - si të sertë, ashtu dhe të butë - kur shtetet janë të një mendjeje për çështje të strategjisë në kuadër të Kreut 7 të Kartës së OKB-së. Ajo ka një fuqi të butë modeste, por të dobishme, kur Fuqitë e Mëdha nuk puqen në mendime, por janë të gatshme të hapin rrugë gjatë aksionit. Dhe ajo praktikisht nuk ka kurrfarë force, kur Fuqitë e Mëdha kundërshtojnë një aksion ose qeveritë represive të vendeve anëtare shpërfillin parimin e ri të “përgjegjësisë për të mbrojtur”. Në raste të tilla, nuk ka kuptim të fajësohet OKB-ja. Fuqia e butë është reale, por ajo ka kufij. Dhe fajtore këtu nuk është OKB-ja, por mungesa e konsensusit mes vendeve anëtare.
*Xhozef S.Naj (Joseph S.Nye) jep mësim në Harvard dhe është autor i librit “Fuqia e butë: mënyrat për sukses në politikën botërore” (Soft Power: The Means to Success in World Politics).
Përktheu: Vladimir Mustaqi