E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga do të shkojë Serbia?

Udhëheqësi nacionalist me orientim pro-rus, Tomislav Nikoliq, ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, me 39.4 për qind të votave, katër pikë më shumë se kundër-kandidati i tij, presidenti aktual Boris Tadiq me orientim pro-evropian. Beteja në rrethin e dytë, që do të mbahet më 3 shkurt, do të jetë e ngjeshur midis dy kandidatëve më seriozë. Edhe pse posti i Presidentit në Serbi është kryesisht ceremonial, zgjedhjet shihen si një test mbi gatishmërinë e këtij vendi për të vënë integrimin evropian përpara sovranitetit mbi Kosovën. Bashkimi Evropian është i shqetësuar nga fakti se gjysma e votuesve serbë ndjejnë skepticizëm mbi integrimin në familjen evropiane, posaçërisht, për faktin se shumica e vendeve anëtare të kësaj familjeje, mbështesin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, dalja në votime shënon përqindjen më të lartë që prej revolucionit të tetorit të vitit 2000, që përfundoi me shkarkimin e pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Votuesit e ndryshëm të zotit Tadiq konsiderohen si apatikë në krahasim me votuesit e disiplinuar të zotit Nikoliq, megjithëse, edhe pse shumica e votuesve mund të mos jenë simpatizantë të partisë së zotit Tadiq, ata thonë se janë të vetëdijshëm mbi rrezikun që paraqet fitorja e Nikoliqit.
Dalja e lartë dhe e befasishme në votime - mbi 60 për qind - pasqyron rëndësinë kritike me të cilën serbët e shohin këtë garë. Analistët, kanë parashikuar një dalje edhe më të madhe në raundin e dytë, meqë votuesit kanë ndjenja të fuqishme mbi politikat shumë të ndryshme mes veti që përfaqësojnë të dy kandidatët presidencialë. Votimet në raundin e dytë, më shumë se vetë zgjedhjet, do të jetë një referendum i vërtetë. Zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi janë mbajtur më 2004 në një format pothuajse identik. Atëbotë, Nikoliq pat fituar në raundin e parë kundër Tadiqit, por ky i fundit e pat mposhtur atë në raundin e dytë.
Me fitoren e nacionalistit ekstremist, rriten gjasat për një izolim ndërkombëtar të Serbisë dhe për një konflikt në Ballkan, rreth pritjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Raundi i dytë, do të jetë vendimtar dhe do të përcaktojë rrugëtimin e ardhshëm të Serbisë: drejt Lindjes, në përqafimin e Rusisë apo drejt Perëndimit dhe integrimit evropian. Fitorja e Nikoliqit do të shihej si një katastrofë në Ballkanin Perëndimor dhe do të shënonte një hap të madh prapa për politikën evropiane në Ballkan.
*Artikulli është një përmbledhje e analizave për zgjedhjet në Kosovë, botuar edhe në sajtin shqip të radios amerikane “Europa e Lirë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›