Kolonel Zegali: Fortifikimi i vendit Shkaktonte 80 viktima në vit!
Arkivat dhe dëshmitë
Ushtria, pas Luftës, mision i deformuar
Meritat dhe lavdia e ushtrisë shqiptare që bëri luftën, në vitet e para të Çlirimit e në vazhdim, nis të zbehet me kahen dhe misionin që i vuri asaj regjimi i kohës. Referuar dokumenteve zyrtare të kohës, arkivave vendase dhe të huaja, në këtë konkluzion del dhe Pr.dr.Kolonel Elmas Leci.
Sipas tij, pas vitit 1947, ushtrisë nuk iu ngarkuan veprime spastrimi ose ndjekje të kundërshtarëve politikë brenda vendit... Ushtria kryente detyra stërvitje për mbrojtje nga armiqtë e jashtëm… Për udhëheqjen partiake e politike të ushtrisë, qe formuar Drejtoria Politike pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila vepronte me udhëzime të drejtpërdrejta nga një sektor i veçantë në KQ të PPSH, shpesh edhe nga vetë Sekretari i Parë i KQ. Kështu, për depolitizim të ushtrisë, s'mund të bëhej aspak fjalë, përkundrazi, ajo ishte tejet e politizuar. Kështu janë të gjitha ushtritë e diktaturës. Por kjo nuk do të thotë se në Ushtrinë Shqiptare të periudhës së diktaturës komuniste nuk kishte asgjë pozitive.
S'ka shtet pa Ushtri e pa Mbrojtje. As Shqipëria s'mund të qëndronte pa to, pasi ajo nuk ishte pa armiq të jashtëm, që përbënin rrezik për atdheun. Është e vërtetë se koncepti për armiqtë e jashtëm të Shqipërisë në kohën e diktaturës, nuk ishte i qartë dhe i saktë... S'ka ushtri, pak a shumë moderne, pa personel drejtues ushtarakësh të kulturuar. Por, për fat të keq, oficerët e paraluftës, me kulturë, që u gjendën në radhët e Ushtrisë Kombëtare pas çlirimit ishin të pakët. Edhe ata që ishin, u nxorën në lirim ose u eliminuan pas një karriere shumë të shkurtër në ushtrinë e pasluftës.
Në vitet '60, të shek.XX, mund të thuhet se Ushtria Shqiptare kishte një përgatitje të kënaqshme ushtarake, me oficerë e gjeneralë mjaft të kualifikuar. Oficerët e gjeneralët e kësaj ushtrie, pavarësisht nga indoktrinimi i skajshëm “marksist-leninist” kishin ndjenja atdhetare. Vetë misioni i mbrojtjes së Atdheut që kishte ushtria, i cili cilësohej si “Detyrë mbi detyrat”, s'mund të mos ngjallte e të forconte në ushtri, sidomos në personelin e saj drejtues edhe ndjenjën kombëtare, dashurinë ndaj atdheut.
Nuk duhet të mos përfillen edhe disa momente, që ndihmonin të mos shuhej ose të mos dobësohej ndjenja kombëtare në ushtri. Kjo ushtri, kishte dalë nga lufta me pushtuesit nazifashistë dhe kishte ruajtur këtë ndjenjë, e cila ka qenë mjaft e fortë gjatë kësaj lufte. Shovinistët grekë i mbanin gjithnjë të ngritura rivendikimet për Shqipërinë e Jugut, duke bërë edhe provokacione të herëpashershme për këtë qëllim. Rreziku që i paraqitej Shqipërisë nga këto rivendikime e veprime grabitqare, e ushqente mbajtjen gjallë të atdhedashurisë…
Gatishmëria për t'i bërë ballë këtij rreziku në mbrojtje të Atdheut, u tregua në gusht të vitit 1949, kur u arrit në përleshje të armatosur midis Ushtrisë Greke dhe Ushtrisë Shqiptare, e cila luftoi me heroizëm në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit. Jo më pak rrezik paraqiste, pas vitit 1948, edhe politika armiqësore antishqiptare e Jugosllavisë, gjë që e favorizonte mbajtjen gjallë të ndjenjës kombëtare e të mbrojtjes së Atdheut…
Dokumentet tregojnë se që nga viti 1945 ushtria ka pësuar një spastrim të vazhdueshëm e në shkallë të gjerë. Qindra vetë janë nxjerrë në lirim, jo vetëm oficerë të paraluftës, por edhe kuadro drejtues ushtarakë të dalë nga Lufta… Ky spastrim i ushtrisë nga oficerët e konsideruar të dyshimtë ka vazhduar në vite. Ai nis fill pas prishjes me Jugosllavinë, më 1948, vazhdon në vitet 1955 e 1956, kur nga ushtria u nxorën 9.000 oficerë e nënoficerë, si personel i papërshtatshëm. Ndërkaq, grushtet më dërrmuese E.Hoxha ia dha ushtrisë pas prishjes me ish-Bashkimin Sovjetik. Gati të gjithë gjeneralët e oficerët e lartë në Shtatmadhori, në Komandot e në Drejtoritë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në njësitë e mëdha ushtarake, kishin mbaruar Akademi dhe shkolla ushtarake sovjetike. Ndonëse ata shprehën me këtë rast besnikërinë ndaj PPSH dhe E.Hoxhës, u panë të pabesueshëm. Goditje tjetër qe heqja e gradave dhe rivendosja e Komisarëve Politikë. Të gjitha këto masa drastike për fatin e ardhshëm të ushtrisë u vunë në zbatim menjëherë në vitin 1966...
Heqja e gradave u shoqërua me masa të tjera radikale, me efekt shkatërrues për ushtrinë. U prish Ushtria e Kazermës dhe u ngrit sistemi i “Shkollave të Lira Ushtarake”. Vijnë më pas goditjet më të rënda, me pushkatime e burgime masive të ushtarakëve madhorë, sidomos ato të viteve 1974 dhe 1982. Sipas Lecit, jo për faj të kuadrit, përkushtimit të forcave aktive e rezerviste, por për misionin e vënë asaj nga udhëheqja, misioni i ushtrisë në atë periudhë deformohet. Në funksion të këtij përfundimi, ai sjell në studim dokumente arkivore e dëshmi të shumta, duke e lënë në dorë të studiuesve e lexuesve të nxjerrin konkluzionet.
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente arkivore e dëshmi lidhur me raportet dhe ndëshkimet e rënda të Enver Hoxhës e regjimit të kohës ndaj gjeneralëve e ushtarakëve madhorë, që bënë luftën e ngritën ushtrinë, problemin e fortifikimit dhe kundërshtimin e Josif Zegalit, në letrën dërguar Enver Hoxhës për këtë problem.
Kolonel Zegali: Fortifikimi i vendit Shkaktonte 80 viktima në vit!
Prof.Dr.Kolonel Elmas Leci
Motivacionet për dënimin e kuadrove kryesore të ushtrisënga rregjimi i kohës, që nga përfundimi i luftës(1944) deri në vitin 1982 kur u dhanë dënimet ekstreme për dhjetra kuadro kryesore të ushtrisë, pothuajse është i njëjtë:”Veprimtari armiqësore”. Me këtë aukuzë u dënuan shumë ushtarakë madhorë, përfshi tre drejtuesit kryesor të ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që dhjetra ushtarakë të tjerë u dënuan me vite të tëta burgim e internime familjare. Ja disa dëshmi të të dënuarve:
Nënkolonel Vangjel Petri: “Për të gjithë ushtarakët e dënuar gjatë diktaturës, Arkivi Qendror i Ushtrisë disponon të dhëna me kartelat e tyre personale. Gjatë studimit të tyre, të bën përshtypje një fakt: Pasqyrohen, në pjesën e parë të kartelave përkatëse e gjithë ecuria, kontributi i tyre, pjesëmarrja në Luftën Çlirimtare Antifashiste, detyrat në Ushtri etj. Kam këtu Kartelën Personale të zotit Hamit Keçi, në të cilën është edhe shënimi përkatës i Vendimit Nr.03570 të Gjyqit, që e dënon me 15 vjet burg dhe degradim. Ka të dhëna për Dilaver Radëshin, Islam Radovickën, Hulusi Spahiun, Njazi Islamin, Dali Ndreun, Tahir Kadarenë e mjaft kartela të tjera, ku del tragjedia e trajtimit të tyre nga diktatura. Mendoj se këto e të tjera të dhëna në kartelat e oficerëve të dënuar, janë me vlera të veçanta për të ndriçuar të vërtetën e hidhur të asaj periudhe.
Përveç këtyre Arkivi disponon edhe shumë urdhra operacionesh spastrimi, të cilat mbajnë firmën e Enver Hoxhës dhe me to janë ekzekutuar figura të shquara ish-oficerësh të Ushtrisë Kombëtare të kohës së Zogut apo të Luftës Çlirimtare Antifashiste”.
Bunkerizimi, çmenduria e Enver Hoxhës
...Një nga ndërmarrjet me kosto të pallogaritshme për ushtrinë e vendin, është periudha e bunkerizimit, e fortifikimeve, periudha e viteve ‘70-të... Përveç dokumenteve arkivore (urdhrave, ndëshkimeve etj.), në Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakë madhorë të ndëshkuar nga regjimi, sjellin pas kaq vitesh dëshmi nga kjo aventurë-çmenduri... Josif Zegali, një nga projektuesit por edhe kundërshtarët e atij bunkerizimi, rrëfen se ku u mor ai model, mbi ç’bazë vendimesh u bë ai bunkerizim, si u realizua ai dhe si ndodhi e si u kundërshtua Enver Hoxha nga ai (Zegali) për fortifikimin.
Josif Zegali: “Bunkerizimi apo fortifikimi, që u zbatua në vendin tonë, është një rast unikal. E them me bindje të plotë, se nuk e gjen në asnjë vend tjetër, sado militarist që të jetë. Ai nuk është mendja apo krijimtaria e Shtatmadhorisë së Ushtrisë, as i Ministrisë së Mbrojtjes. Ai është zbatim i çmendurisë politike. Pse u bë?
Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë, tërësisht të izoluar dhe të gjitha shtetet e botës i shpalli armiq të vendit tonë dhe se Shqipëria do të luftonte kundër të gjithë atyre, do t’i përballonte dhe do të fitonte e socializmi i tij do të triumfonte, dhe kjo ishte fantazia e Enver Hoxhës, në zbatim të kësaj strategjie. Këshilli i Mbrojtjes, pa marrë parasysh mendimet e specialistëve ushtarakë, vendosi këtë skemë bunkerizimi, këtë vepër mund të themi euforike, të çmendur, e cila i ka kushtuar Shqipërisë dhe i ka kushtuar tepër shumë në të gjitha drejtimet. Unë jam i bindur që mendimi ushtarak, mendimi i specialistëve fortifikatorë nuk ka qenë kurrë dakord me këtë lloj fortifikimi, por Këshilli i Mbrojtjes e përpunoi këtë skemë me Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën dhe, të përpunuar, ia dha ushtrisë për zbatim, me parullat prepotente “Çështja e mbrojtjes detyrë mbi detyrat”, “Kush nuk zbaton planin e fortifikimit është tradhtar”, “Asgjë të mos kursejmë” etj. Duke u ndodhur përballë këtyre dhe aq më keq, që Shtatmadhoria e Ushtrisë në ato vite qe pastruar nga njerëzit e aftë dhe guximtarë, kryesisht nga njerëzit me reputacion që ta kundërshtonin e të argumentonin çmendurinë e një pune të tillë, tepër rraskapitëse për ekonominë tonë.
Zegali. Letra që i dërgova Enver Hoxhës për fortifikimin
Josif Zegali pohon kundërshtinë e tij për fortifikimin tek Enver Hoxha: “Përsa i përket kësaj çështjeje (shembujve), më falni se dua ta ruaj modestinë, kur dola nga burgu herën e parë në vitin 1982 dhe kur pashë këtë skemë të fortifikimit, të them të vërtetën, u indinjova. Përpiqesha të gjeja se ku e bazojnë? A ka vlera apo nuk ka të tilla? Këto pyetje ia bëja vetes, sepse unë e njihja shumë mirë atë sektor, ashtu si zoti Alfred (Moisiu) dhe e dinim që një qendër zjarri (bunker) është i barabartë, në vlerë leku, me një apartament banimi, një dhomë e një kuzhinë. Nisur nga këto e aq më shumë nga prishja e shëmtimi i gjithë strukturës së vendit, i bëra një letër Enver Hoxhës ku denoncoja këtë fortifikim si shkelje e parimeve të Artit Ushtarak, si shkelje e artit fortifikator, si shkelje e normave ekonomiko-financiare, që nuk mbaheshin fare parasysh. Do t’u tregoj një detaj, që askush deri tani nuk e di: Gjatë asaj fushate të madhe për fortifikimin masiv ndodhnin rreth 48-80 viktima në vit, që shtypeshin nëpër tunele, vriteshin në ndërtimin e bunkerëve. Dhe këto ishin të përvitshme dhe këta ishin njerëz. Pikërisht, në atë letër që unë i bëra Kryetarit të Këshillit të Mbrojtjes i vura një për një pikëpamjet e mia kundër këtij fortifikimi, duke argumentuar dhe koston e madhe ekonomike. Dhe, më së fundi, i kërkoja të ndalohej!
Enveri urdhëron arrestimin e “tradhtarit” Zegali
Atë letër, origjinali i të cilës ndodhet në Arkivin e Ushtrisë, Zegali e dërgon më 27 nëntor të vitit 1982. Fillimisht, letrën e mori Ministria e Mbrojtjes. Kjo,- pohon Zegali,- me atë servilizmin e saj, mua më cilësoi si tradhtar dhe armik. Shkruan shprehimisht se, “fortifikimi është origjinal shqiptar, me vlera të mëdha efekt-mbrojtëse, nga i cili duhet të mësojë Arti Ushtarak Botëror”.
Ja teksti i letrës së Enverit!
“E lexova me durim letrën e “teoricienit të madh” të fortifikimeve tona, që pretendon se ato janë bërë shabllone në fusha dhe në male, janë ndërtuar pranë e pranë, me hapësira shumë të vogla. Ky birçe që më shkruan këtë letër, më përgjigjet si teoricien dhe kritikues i fortifikimeve, dëshiron t’ua lëmë të hapta armiqve pikat kyçe që kanë mbetur pa u fortifikuar. Ky (Josif Zegali,) është një disfatist. Të arrestohet provizorisht! Të merret në pyetje nga hetuesi dhe prokurori ushtarak dhe t’u përgjigjet pyetjeve të mëposhtme:
1. Përse nuk i tha këto mendime para se të dënohej Beqir Balluku ose vetëvritej Mehmet Shehu, ose kur dënohej Kadri Hazbiu? Pse e vonoi këtë informacion? Duhet të jetë një akuzë e rëndë për të.
2. Prokurori dhe hetuesi ushtarak të shikojnë më parë dosjen e tij si person. Përse është dënuar më parë me burgim dhe të kenë parasysh Vendimin e Komisionit të Revizionimit dhe të Kontrollit të Partisë, ku thuhet për të se “është njeri i dyshimtë”.
3. Në përfundim të hetimeve, të gjykohet nëse duhet çuar në gjyq, nga i cili të dënohet sipas Kodit Penal!”.
Enver Hoxha (Firma)
(Marrë nga Arkivi i Ushtrisë, Dosja “Zegali”)
Rrëfim i “armikut” Zegali
“Pasi kisha dërguar letrën, më 27 nëntor 1982, më 7 dhjetor, herët në mëngjes më kishin rrethuar shtëpinë, ashtu siç bënin ata, dhe më arrestuan e më futën në birucë për të dytën herë, pikërisht në atë birucë ku kisha qenë edhe 8 vjet më parë. Pra, edhe unë që e kundërshtova, e provova dhe e pësova shumë rëndë; vajza më vdiq, familja u terrorizua...”.
Dënimi i Zeglit, ashtu si dhe shumë kolegë, para e pas tij, siç del nga arkivat dhe dëshmitë e ushtarakëve madhorë të dënuar, por që i shpëtuan pushkatimit, nuk ishte një rastësi, por në vazhdën e një synimi të qartë të udhëheqjes së kohës.
Në gjysmën e viteve ’60-të Enver Hoxha e ndien që ushtarakët nuk po e pëlqenin e nuk po ia përfillnin politikën izolacioniste. Ai dhe klani përgatitën një të ashtuquajtur “Letër e Hapur e KQ të PPSH-së”. Kjo qe një goditje e rëndë për ushtrinë. Nën devizën absurde të vijës së masave, diktatori, nga frika se mos ushtarakët ngriheshin në kryengritje, u eliminoi atyre hierarkinë, u shprishi disiplinën, u shkërmoqi ushtrinë në 2 mijë e ca pika hapje, prishi kazermat nga të cilat ai gjykonte se mund t’i vinte e keqja. Për këtë, kyçin e gjeti te eliminimi i gradave, por heqja e tyre e degradoi ushtrinë. Ishte një persekutim masiv mbi ushtarakët.
Paradoksi! Ushtarakët pajtohen me “reformën” e Enverit!
Goditja e regjimit ndaj ushtarakëve madhorë, veçanërisht në periudhën 1974-1982, referuar dokumenteve zyrtare arkivore e dëshmive të protagonistëve të mbijetuar, evidenton dhe mungesën e një kundërshtimi parimor ndaj direktivave në ushtri, për të citat gjeneralët e kolegët e tyre, ishin të bindur se nuk ishin në shërbim të mbrojtjes e në të mirë të vendit.
Në fakt (sipas dokumenteve arkivore), përfshi dhe ata që u pushkatuan nga regjimi, u pajtuan me këtë reformim që urdhëronte Enveri për Ushtrinë e Mbrojtjen e vendit. Ja dëshmia e njërit prej tyre, Dilaver Radëshit: “Ishin mbledhur në Korçë të gjithë oficerët e Korpusit. Erdhi Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Nisi diskutimi për gradat. Flisni,- u tha Petrit Dume. Asnjë nuk u ngrit. Përsëri: “Kush e do fjalën”,- tha Petrit Dume. Përsëri asnjë nuk u ngrit. “Kush do flasë”,- tha për të tretën herë Petrit Dume. Asnjë nuk u ngrit. Atje në atë mbledhje kishte edhe gjeneralë të tjerë, si Bako Dervishi. Ishim ne kolonelët, Aqif Ylli, unë e shumë të tjerë. Heshtja për të mos diskutuar tregonte qartë se oficerët nuk ishin dakord me Letrën e Hapur, e cila i hapi varrin ushtrisë sonë”.
...Kështu do të vazhdonte kryqëzata kundër ushtarakëve. Hetuesit do të punonin ditë e natë. Burgjet nuk kishin vende dhe krevatet shtroheshin tre radhë njëri mbi tjetrin. Pothuajse të gjitha gjyqet përfundonin me vendimin “Dënohet për tradhti të lartë ndaj Atdheut, për agjitacion e propagandë, për grusht shteti”... Një nga dosjet tipike, është ajo e Dilaver Radëshit, e cila gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është një dosje me materiale të ashtuquajturave “vepra armiqësore” të tij, që u shërbyen hetuesve dhe gjykatësve për të përligjur dënimin. Në këtë dosje lexojmë: “...Ai ka dështuar disa herë. Është intrigant. Ka qenë mik i ngushtë i Skënder Luarasit, me të cilin e lidhte kauza. Ai thotë se duhet të bëjmë një kthesë 180 gradë në punën tonë. Mohimi i eksperiencës së huaj do na kushtojë shumë shtrenjtë. Ne po bëjmë një eksperiment në shkallë kombëtare, mbi një çështje shumë delikate, siç janë Forcat tona të Armatosura, pa një aleat në botë.
(vijon)
Gatishmëria për t'i bërë ballë këtij rreziku në mbrojtje të Atdheut, u tregua në gusht të vitit 1949, kur u arrit në përleshje të armatosur midis Ushtrisë Greke dhe Ushtrisë Shqiptare, e cila luftoi me heroizëm në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit. Jo më pak rrezik paraqiste, pas vitit 1948, edhe politika armiqësore antishqiptare e Jugosllavisë, gjë që e favorizonte mbajtjen gjallë të ndjenjës kombëtare e të mbrojtjes së Atdheut…
Ishin mbledhur në Korçë të gjithë oficerët e Korpusit. Erdhi Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Nisi diskutimi për gradat. Flisni,- u tha Petrit Dume. Asnjë nuk u ngrit. Përsëri: “Kush e do fjalën”,- tha Petrit Dume. Përsëri asnjë nuk u ngrit. “Kush do flasë”,- tha për të tretën herë Petrit Dume. Asnjë nuk u ngrit. Atje në atë mbledhje kishte edhe gjeneralë të tjerë, si Bako Dervishi. Ishim ne kolonelët, Aqif Ylli, unë e shumë të tjerë.