E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 Baton i Meklarenit fiton mimin e Madh te Australise

Ishte dita e Xhenson Batonit në Melburn. Një anglez fiton në një ish-koloni angleze, që natyrisht sot është një shtet gjigand dhe i respektuar. E treta fitore në Çmimin e Madh të Australisë në Formula 1, për pilotin e Meklarenit që arriti të lerë prapa kampionin e botës në fuqi, Sebastian Fetel të Red Bullit, ndërsa njeriu që u nis i pari, Ljuis Hamilton, u detyrua të kënaqej vetëm me vendin e tretë.
Nisja e garës ishte e mirë për Batonin që la prapa Hamiltonin si dhe për Fetelin, pasi gjermani kaloi Niko Rosbergun, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Ueber gaboi, po ashtu si francezi Groszhan i Lotusit që u detyrua ta linte garën që në fillim.
Po ashtu, një start të shkëlqyer bëri Fernando Alonso dhe spanjolli i Ferrarit rikuperoi pozicion pas pozicioni, edhe pse ishte shumë prapa. Por, nuk shkoi kaq mirë për Mikael Shumakerin, pasi gjermani u detyrua të tërhiqej në xhiron e 12-të pas një problemi me marshet.
Fetel ia doli të dilte i dyti pasi në pistë doli makina e sigurisë në xhiron e 37-të, duke përfituar dhe duke kaluar Ljuis Hamiltonin. Megjithë luftën e fortë në xhirot e fundit, pozicionet në krye nuk ndryshuan dhe Baton fitoi garën e 13-të të karrierës së tij. Në vend të katërt doli Ueber me Red Bullin, ndërsa Alonso u kënaq vetëm me vendin e 5-të. Garë shumë e mirë edhe për japonezin Kobajashi të Zauberit dhe një kthim po ashtu pozitiv për Kimi Raikonenin që doli i 7-ti me Lotusin e tij. Për herë të parë në 23 Çmimet e fundit të Mëdha, makinat Red Bull nuk kryesuan për asnjë xhiro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›