E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris Sen Zhermen e rriti ne 2 pike epersine ndaj Monpeljese

Ishte minuta e fundit që shpëtoi kryesuesen e kampionatit francez të futbollit, madje duke i dhënë rast që të rriste sado pak diferencën me ndjekësin më të afërt. Paris SG kaloi një provë tepër të vështirë në fushën e Kaenit, duke qenë dy herë në humbje dhe duke shpëtuar një pikë në minutën e 91-të.
Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë ku fillimisht Pier-Alen Fro shënoi golin e parë për vendasit. Skuadra e Ançelotit pati fat duke barazuar shpejt, pas një gabimi të mbrojtjes së Kaenit, veçse 20 minuta para fundit Herto shënoi me kokë golin e dytë duke kërcyer mbi mbrojtësit kryeqytetas.
Pikërisht kur u duk se gjithçka kishte marrë fund, Zhale kontrolloi mirë një top të marrë nga Menez dhe goditi shkëlqyeshëm duke barazuar rezultatin në 2-2. Sërish një tjetër ndeshje pa humbje për Ançelotin.
Monpelje nuk arriti të përfitonte sepse u mund 1-0 në fushën e Nansisë. Madje, skuadra vendase ishte e pafat në pjesën e parë pasi nuk iu quajt një gol, ndërsa gjyqtari e kishte ndërprerë lojën përpara sesa topi të shkonte në rrjetë. Në atë moment, Monpelje mbeti me 10 lojtarë sepse Hilton doli me të kuqe dhe këtë e ndjeu në pjesën e dytë.
Në minutën e 60-të, Nansi fitoi penalltinë vendimtare, ndërsa miqtë mbetën me 9 lojtarë në fushë sepse karton të kuq mori edhe Stamobyle. Penalltinë e ktheu në gol kapiteni i Nansisë, Andre Luiz, duke vulosur humbjen mike.
Paris SG kryeson me 59 pikë, Monpelje ka 57, ndërsa vendi i tretë, Lila, është 10 pikë prapa, ndonëse duhet ende që të luajë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›