E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana fiton 1-0 ne Vlore

Bardheblutë e mbajtën me forcë kreun e Superligës shqiptare, pas fitores së vuajtur, por të merituar në Vlorë në javën e 17-të.
Flamurtari e nisi më mirë ndeshjen dhe shpejt iu anulua një gol shënuar nga Pejiç sepse gjyqtari Pashaj kishte vërshëllyer për goditje dënimi para se kroati ta godiste topin. Presioni vlonjat vazhdoi dhe Pejiç iu afrua sërish golit, duke sjellë shqetësimin dhe reagimin e trajnerit të Tiranës, Rubio Sançez, veçse bardheblutë me përvojë goditën kur pritej më pak.
Në një aksion të menduar mirë, Morina shfrytëzoi pasimin e Azirit duke mposhtur Spahon. Një epërsi që solli entuziazëm në tribunën ku ishin tifozët e grupimit “Tirona Fanatics”.
Në vazhdim, ndeshja mbeti e fortë dhe me të nisur pjesa e dytë, Flamurtari iu afrua golit të barazimit. Merita për këtë ishte e kroatit Pezo, i cili provoi një gjuajtje nga larg që preku trau, pas devijimit të Likës.
Ky moment i dha zemër vlonjatëve që krijuan edhe një tjetër rast të mirë ku Lena për fat të keq nuk arriti të gjuante, ndërsa bardheblutë u përgjigjën me një aksion të Balës, që nuk gjeti zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Pasi kishte kaluar pak më shumë se 1 orë lojë, Tirana barazoi rezultatin e shtyllave duke goditur traun me anë të Kalarit pas një goditjeje standarde.
Në fund, vlonjatët iu afruan golit, por Progni gaboi, ndërsa trajneri bardheblu, Hulian Rubio Sançez e mbylli këtë ditë të vështirë duke ngritur lart gishtin tregues. Me të drejtë, pasi ai ishte fituesi.
Në Peqin, Skënderbeu arriti fitore të thellë 3-0 ndaj Laçit. Davor Bratiç që në fillim dhe dy herë Tahirllari në pjesën e dytë ishin shënuesit e golave, që e mbajtën skuadrën kampione në largësinë e një pike nga Tirana.
Në ndeshjen tjetër të orës 13:00, Teuta arriti të merrte një pikë në fushën e vështirë të Bylisit, në Ballsh, një takim ku nuk mungoi lufta sportive dhe momentet interesante, por gola jo. Gjithsesi, kamerave nuk u shpëtoi përshëndetja kalorsiake mes trajnerit të vendasve, Shensoi dhe atij të miqve, Lika, një kënaqësi që e provojmë pak si rrallë në futbollin shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›