Formula 1, Shumaker pranon kontratën prej 7 mln eurosh
Mikael Shumaker i rikthehet Formula 1, duke nënshkruar me skuderinë e re Mercedes Grand Pri. Piloti gjerman u ka dhënë fund spekulimeve, duke pranuar kontratën prej 7 milionë eurosh në sezon të ofruar nga një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të makinave në botë. Edhe pse vitin tjetër do të jetë 41 vjeç, Shumaker është shprehur se ndjehet sërish si një adoleshent dhe i gatshëm të japë maksimumin. Kontrata është firmosur në zyrat e skuderisë, në Brakli të Anglisë. Firma e Shumakerit vjen pas një muaj bisedimesh, ndërsa e bashkon atë me ish-shefin e tij te Ferrari Ros Braun. “Pata një bisedë me Ros Braun në Abu Dabi dhe e paralajmërova atë për problemet që mund të kisha nëse garoja sërish, - deklaroi Shumaker në momentin e lajmërimit të rikthimit të tij. – Tre javë pas kësaj bisede, ai ma bëri pyetjen më seriozisht dhe nuk e di realisht se çfarë ndodhi. Por, të jem sërish bashkë me të, me Mercedesin dhe Petronas, një kombinim që ndoshta askush nuk e mendonte, ishte diçka që më ngacmonte brenda vetes”, deklaroi 7 herë kampioni i botës. Shumaker bëri të ditur se drejtuesit e skuderisë kanë programuar që ai të garojë për 3 vjet, megjithëse fillimisht u mendua vetëm për sezonin e ardhshëm. Rikthimi i Shumaker u ngjan atyre të Niki Laudës dhe Alen Prost, që më pas arritën të fitonin sërish tituj në Formula 1. Piloti gjerman ishte shumë pranë rikthimit me Ferrarin në verë, pas aksidentit të Felipe Masës në Hungari, por dhimbjet në qafë në atë kohë ia ndaluan një gjë të tillë. Shoku i tij i skuadrës Niko Rosberg u shpreh i entuziazmuar me këtë vendim të skuderisë. Po ashtu, përshëndetje kanë ardhur edhe nga pilotë të tjerë si Ljuis Hamilton, që e ka quajtur fantastik rikthimin e mbretit të këtij sporti. I lindur më 3 janar 1969, Mikael Shumaker mbush 41 vjeç pas 10 ditësh. Ai është pa më të voglin dyshim piloti më i mirë në historinë e Formula 1. Shumaker ka fituar 7 tituj kampion bote, 2 me Beneton dhe 5 me Ferrarin, por veç kësaj, ka qenë një kampion i padiskutueshëm në çdo drejtim, përpara se të tërhiqej në fund të sezonit 2006. Gjermani mban edhe rekordin e numrit më të madh të fitoreve në karrierë, 91 të tilla. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)