E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula Një ndez motorët në Melbourn

Nga Dash Frashëri
Të gjithë të gatshëm. Të gjithë të etur për të parin "pole position" të Kampionatit Botëror të Formula Një 2007, të gjithë në garë e jashtëzakonshme për fituesin e Australisë dhe podiumin e Melbournit. Mungon shtatë herë kampioni i Botës, Shumaker, por është ende në garë Alonso, dy herë kampion me Reno, por tashmë me një makinë të re, po aq legjendare sa ajo e Ferrarit, "shigjetat" e argjendta" të skuderisë MekLaren-Mercedes, tetë herë kampione e botës. Në fakt, gara ka nisur qysh me rekrutimin e pilotëve, prezantimin e makinave, deklaratat e bosëve të skuderive, synimet e kampionëve të mëdhenj dhe veteranëve të pistës, të përziera këto me objektivat ambicioze të pilotëve që ende nuk kanë shkruar emrin në një garë zyrtare të Formula Një. Intrigat janë të mëdha. Strategë gjenialë që kërkojnë t'i rrëmbejnë njëri-tjetrit të mijtat e sekondës përmes strategjive, skuderi që fitojnë përmes shpejtësisë së furnizimit në pit-stop. Titulli "ndërron" duar etape pas etape, pikë pas pikë, aty ku njëri pilot mahnitet nga perfeksioni i makinës dhe tjetri dëshpërohet nga mospërshtatja e konfigurimit të njëvendëshit me parametrat e pistës. Sot, janë provat e para të lira, për të vazhduar të shtunën me fituesin e parë të "pole position" dhe përcaktimin e grilës së nisjes, ndërsa të dielën PROVA E MADHE, ku përcaktohet edhe piloti fatlum i 10 PIKËVE. "Titulli? Sezoni është i gjatë, por dua ta filloj më këmbë të mbarë", thotë finlandezi i "akullt" Kimi Raikonen, pasuesi i Mikael Shumaker te Ferrari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›