Lojtarët e Vardarit sulmojnë Burak Hydën

Kumanovë - Ndeshja midis Bashkimit të Kumanovës dhe Vardarit është ndërprerë pas përfundimit të pjesës së parë, për shkak të një incidenti që ndodhi gjatë shkuarjes për në dhomat e zhveshjes. Sic mësojmë ishin lojtarët e Vardarit, ata të cilët iniciuan konfliktin duke e goditur, Burak Hydën, djalin e pronarit të Bashkimit, i cili në atë moment u gjend në korridor. Mësojmë se Burakun i pari e ka e ka sulmuar lojtari me numër 22, Ostoja Stepanovic, të cilit i janë bashkangjitur pastaj edhe futbollistët tjerë të Vardarit.
"Pjesa e parë është luajtur në atmosferë korrekte. Kemi dominuar në terren dhe Vardari nuk ka pasur asnjë mundësi, për dallim nga ne që krijuam disa raste por pa realizim konkret", tha ndihmëstrajneri i Bashkimit Erkan Jusufi.
Ndryshe, pjesa e parë i ka takuar lojtarëve nikoqir, të cilët e kanë mposhtur totalisht Vardarin. Ata gjatë tërë pjesës së parë kanë qenë në sulm dhe kanë dominuar në terren. Rastin më të mirë për të shënuar e kishte Samir Shabani, mirëpo goditjen e tij me shumë vështirësi e ndali portieri Kaprinovski. Në këtë ndeshje me kartona të verdhë janë ndëshkuar Dardan Miftari dhe Dalibor Antonijevic lojtarë të Bashkimit, ndërsa në radhët e Vardarit, Ostoja Stepanovic dhe Oliver Peev.
Ndryshe, sipas disa burimeve jozyrtare futbollistët e Vardarit e kanë nisur incidentin me qëllim që të ndërpritet takimi. Ky burim thotë se drejtuesit e KF Vardar të mbështetur nga Këshill Iniciativ për ndryshime dëshirojnë që para 17 marsit (Mbahet Kuvendi i FFM-së) t'i krijojnë probleme FFM-ës
Rijad MURATI