Formula e Anditit: Vullnet, forcë dhe guxim
Tiranë- Që jeta është një sfidë, këtë e dimë të gjithë. Që ajo është treguar e padrejtë me disa të tjerë, edhe këtë e dimë, por kur kërkojmë persona të cilët kanë mundur tia hedhin problemeve dhe të arrijnë qëllimet, atëherë këtu ndalemi dhe kuptojmë se jo të gjithë i shkojnë në fund kësaj rruge. Por, të tillët nuk mungojnë. Një histori e një njeriu që nuk dorëzohet e hasim pikërisht në Tiranë.
Andit Cani, nje student në Fakultetin e Histori-Filologjisë ka probleme me shikimin por kjo nuk e pengon që ai të vazhdojë rrugën e nisur për të arritur qëllimet e veta. 25-vjecari që studion Gazetari, shprehet se vendimi për të ndjekur ëndrrat do të shoqërohej me sakrifica të mëdha, do të duhej të luftonte jo vetëm problemin e tij, por edhe inferioritetin e njerëzve dhe mungesën e familjes.
Por pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk kishte menduar për një fjalë: dorëzim. Më duhet të harroj problemin tim dhe të eci përpara- thotë djaloshi me origjinë nga Gramshi, për të shtuar se vetëm me vullnet, guxim dhe forcë realizohen synimet e njerëzve. Ai është i qartë edhe rreth të ardhmes dhe forca e zërit na tregon për një vendosmëri për të arritur atë që do: Një ditë dua që edhe unë të diplomohem në Gazetari si kolegët e mi, dua të gjej një punë dhe të krijoj një familje- shprehet Anditi.
Kur e pyesim më tepër për profesionin e ardhshëm ai na tregon se Gazetarinë e ka pasur gjithmonë pasion ndërsa nuk e fsheh dëshiren që të bëjë rolin e komentatorit në një radio ose TV. Shpresoj të gjejë një punë në TV ose radio si komentator ose analist i sportit- thotë shkurt ai.
Anditi erdhi në Tiranë që në moshën 12-vjecare, ai vendosi për të ndjekur shkollimin edhe pse kjo do të thoshte që ai duhej të largohej nga familja. E kishte të vështirë, por e përballoi. Mbaroi 8-vjecaren në një shkollë të veçantë për të verbërit, u kthye në Elbasan për të kryer gjimnazin kater vjecar dhe sot është përsëri në Tiranë duke ndjekur studimet si shumë të tjerë. Ai jeton në Qytetin Studenti, në një dhomë i vetëm, i aftë për të përmbushur nevojat e tij personale. Përveç kafeve me ndonjë shok ai është i përkushtuar edhe pas mësimit.
Anditi na tregon mënyrat se si mëson ai: Së pari më incizojnë mësimet dhe pastaj i dëgjoj, ose me ndonjë koleg ulemi në një vend të qetë dhe lexojmë së bashku por edhe përmes celularit ka raste kur më lexojnë leksionet. Kur jemi tek fakulteti ai ka fjalë të mira për kolegët e tij dhe pedagogët të cilët e kanë respektuar dhe kuptuar gjendjen e tij. Për kolegët kam fjalë të mira, më respektojnë dhe asnjëherë nuk më kanë bërë të ndjehem inferiorë ndërsa dhe pedagogët e kanë parasysh problemin tim dhe e kuptojnë gjendjen time. Po ashtu, ai thekson se mbështetjen më të madhe e ka pikërisht nga kolegët e tij.
Angazhimet që ka në fakultet kanë bërë që Anditi të mos shkojë rregullisht nëpër takime të cilat i organizojnë shoqatat e të verbërve. Atë kohë të lirë që ka mundohet të shikojë ndonjë ndeshje futbolli, ndërsa bën tifo për klubin italian AC Milan.
Gjatë gjithë kohës sa jemi duke biseduar, pos një buzeqeshje në fytyrë, Anditi konsumon edhe shumë duhan, këtë ves të tij ai e arsyeton kështu: E fillova nga kurioziteti por tani më ka ngelur, por ndonjëherë e pi edhe për të hequr mërzinë- thotë duke qeshur ai.
Dy-tri herë atë e thërrasin edhe në celular, ndërsa personat që e telefonojnë i identifikon përmes tre numrave të fundit: Me tre numrat e fundit unë arrij të kuptoj se kush më telefonon, ndoshta nja 100 numra i kam të regjistruar në memorien time.
Nga të gjitha ngjyrat, ai arrin të dallojë vetëm të bardhen. Njerëzit i dallon përmes zërit. Ndërsa për të bërë një orientim për kohën ai ka gjetur një mënyrë që e ndihmon shumë: Për të kuptuar orën më ndihmon shumë celulari, këtu është një buton që kur e mbaj të shtyput më tregon orën, veçse këtë e bën në gjuhën angleze- shprehet ai.
Në fund fare, Anditi jep dhe një porosi për ata që nuk kanë vetëbesim të mjaftuar: E rëndësishme është të mos dorëzohesh, pavarësisht problemeve, vazhdo me guxim dhe mos lejoni që të bjerë vullneti sepse pa vullnet njeriu nuk arrin të realizoj ëndrrat e veta- përfundon djalolshi gramshiot që tashmë është bërë sinonim një njeriu që nuk dorëzohet.
Ideal Gola/IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- Skuadra Force India, 100 milionë USD fonde për Formula 1 Një konglomerat indian biznesesh nën emrin Sahara Grup, ka investuar...
- Raikonen sërish në Formula 1 me Uilliams Kimi Raikonen është gjithnjë e më pranë kthimit në Formula...
- Formula 1, ndëshkimet në garën e Singaporit Gara e Singaporit në Formula 1 ka rezultuar me shumë...