E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompleksi i ri parlamentar fituese studioja austriake

Projekti i studios austriake “Choophimelb (l) au” është shpallur fituesi për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Për përzgjedhjen e projektit fitues u mbledh Komiteti Shtetëror, ku duke respektuar dhe vendimin e jurisë, zgjodhi pikërisht studion e parë në renditje, e konkretisht atë të arkitektit austriak Prix. Në fjalën e saj, Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi se përmes këtij procesi do të kemi ndërtimin e monumentit të kombit, pasi kompleksi do të jetë monument i demokracisë. Sipas saj, ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit.
Diferenca e ofertës për projektzbatimin e firmës vjeneze, e shpallur fituese nga juria, dhe vendit të dytë, firmës italiane, është rreth 4 milionë euro. Diskutimi u përqëndrua tek dy vendet e para, pasi firma e tretë franceze “Ama Architecturë” kishte ofertë më të lartë se dy të parat. Oferta fillestare e vendit të parë ishte, 80 milionë euro, e vendit të dytë 70 milione euro, ndërsa e vendit të tretë  96 milione euro. Anëtarët e komitetit, vendosën në unanimitet për t’i hapur rrugë firmosjes së kontratës mes Kuvendit të Shqipërisë dhe firmës vjeneze për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.

Berisha: E vështirë të përzgjedh, projektet të manihtshme

Kryeministri, Sali Berisha vlerësoi si mjaft të rëndësishëm ndërtimin e një kompleksi të tillë, por nga ana tjetër nisur nga panorama e ofruar nga këto tre projekte, shpehu vështirësinë e tij në përzgjedhjen e një studio të vetme. Kjo për vetë faktin se të tre këto projekte kanë të ndërthur brenda të tyre vlerat e domosdoshme për një kompleks të tilllë.
“De fakto dhe de jure kjo është ndërtesa e parë e kombit, e shtetit, ndërtesë e cila në 100 vite pavarësi nuk u ndërtua dot. Por prapë kemi anën tjetër që në 100 vjetorin e këtij shteti kemi shansin për të vendosur për projektin më të mirë më dinjitoz për parlamentin e shekullit të ri. Projektet e paraqitura japin zgjidhje të ndryshme kërkesave funksionale mjedisore të ndërtesës dhe kompleksit parlamentar. Ato variojnë në çmime nga 49 në rreth 100 milion euro. Vështirësia e përzgjedhjes ka qenë shumë e madhe, por një trupë vlerësuese ndërkombëtare nga më prestigjozet bëri një renditje, në mënyrën më të paanshme më objektive, më të pandikuar dhe më profesionale”, vuri në dukje Berisha.Gjithashtu, në fjalën e tij, kreu i qeverisë risolli në kujtese vlerësimet e jurisë për secilin nga këto projekte. 
“E vërteta është që kjo juri përzgjodhi për të parën veprën e arkitetit të njohur austriak Prix, nje studio me ndërtime ndër më mbresëlënëse për kohën e sotme, nga opera e Mynihut tek qendra finaciare e Pekinit dhe më gjerë. Në projektin e saj kjo studio ka paraqitur të shkrirë në mënyrën  më harmonike të sotmen me të ardhmen e Shqipërisë. Ajo që ka të veçantë projekti i Prix është udhëtimi i tij drejt të ardhmes. I mreullueshëm është projekti i studios "Kuçinela", bazohet në të përjetshmet, të pavdekshmet, kolonat. Ka respektuar disa nga standardet më të rëndësishme të zhvillimit të një projektit, eficencën energjetike. Së brendshmi është magjepsës. Debatet kanë qenë të shumta. Studio e tretë "Ama arkitekt" ka paraqitur një projekt të mrekullueshëm”, nënvizoi kryeministri Berisha, sa i takon një çështje të tillë. 
Megjithë hezitimet e shfaqura kohët e fundit, për shkak se studio e vendit të parë kishte kërkuar rreth 11% të vlerës së ndërtimit, e përkther kjo në një rëndesë prej rreth 4 milion eurosh më të madhe në buxhetin shqiptar, krahasuar me projektin e dytë të studios italiane, sërish kryeministri Berisha ftoi anëtarët e Komitetit Shtetëror të respektonin vendimin e jurisë.

Basha: Ndërtimi i veprës, rol për kryeqytetin

Kryebashkiaku, Lulzim Basha duke u ndalur pikërisht në një proces të tillë përzgjedhje vlerësoi faktin se “natyra e komisionit dikton vetëpërmbajtje në atë çfarë mund të shpreh unë si kryebashkiak. Ndaj theksoj se pjesëmarrja ime është honorifike”.
Megjithatë, në gjykimin e tij, ndërtimi i një vepre të tillë ka një rol të rëndësishëm për kryeqytetin dhe nga ana e Bashkia e Tiranës jep mbështetjen e saj për veprat që dinamizojnë vendin. 
“Ky është një projekt i hapur ndaj publikut, në harmoni me natyrën, që respekton eficencën e energjisë dhe ndërthur në vetvete elementë që do ta bënin krenar çdo qytet. Do të kishim dashur që në fazat e mëparshme të kishim pasur rol më aktiv, por nuk u bë e mundur dhe as uroj e as vajtoj për çfarë është bërë një vit më parë. Secili prej këtyre projekteve do të kishte interesin e plotë të qytetarëve të Tiranës”, vuri në dukje Basha.

Projekti fitues “Choophimelb (l) au”

Projekti fitues paraqet sallën e Parlamentit duke reflektuar hapësirën bazë demokratike si sundimi i fuqisë së elektoratit, duke vendosur publikun mbi pjesëtarët e zgjedhur të Kuvendit pa i hequr të drejtën sallës së madhe, hollit që të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndërtesës.
Niveli i parë i strukturës së projektit ka hyrje të shumta në holl, dhoma e byrosë së parlamentit, dy dhoma takimi për Kryeministrin, dhoma e madhe e takimit për grupin parlamentar dhe zonat e bollshme të recepsionit. Pjesët publike të nivelit të hyrjes janë të gjitha të grupuara rreth hyrjes, ashtu si dhe lidhja vertikale publike në nivelin e galerisë, e cila do të akomodojë vizitorët dhe gazetarët për të ndjekur seancat parlamentare.
Niveli i dytë i strukturës kryesore përmban të gjitha funksionet me karakter përdorimi publik ose kolektiv, zona e restorantit për Kryeministrin dhe stafin, librari dhe arkiva, dy vende takimi për konferencat ndërkombëtare dhe zona të projektuara për të pritur konferencat e shtypit duke përfshirë dhe hapësira pune dedikuar gazetarëve. Blloku i zyrave është organizuar rreth konit qendror prej pesë nivelesh me xham të sallës së parlamentit.
Niveli i tretë akomodon 13 dhoma takimi për komitetin parlamentar, si dhe zyra për kryetarët e tjerë që punojnë për këto pjesëtarë të komitetit. Zyrat për Kryeministrin, deputetët dhe departamente të ndryshme për administratën janë shpërndarë në katet 4 dhe 6.
Niveli i fundit i bllokut të zyrave është rezervuar për hapësira për kryetarin e parlamentit dhe deputetëve të tij: këshillin e ministrave, apartamenti përfaqësues i kryetarit të parlamentit dhe kryetarit të deputetëve.
Parkingu është dizenjuar ekonomikisht si një strukturë që është vendosur kryesisht mbi tokë, duke dhënë hyrje të brendshme direkte shërbimeve të parlamentit në nivelin e hyrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›