E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma rregullatore e tregut dhe ceshtja e pronesise

Reforma rregullatore e tregut si dhe problematika e çështjes së pronave ishin dy çështjet kryesore të trajtuara nga kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë. Kështu, ndalur në çështjen e parë, Kryeministri vuri në dukje faktin se synimi kryesor i qeverisë është rregullimi i çmimeve të tregut. Madje në këtë funksion kryeministri Berisha bëri me dije se kemi një rënie të çmimeve nga 1.4 në 1.9 herë në këto katër vjet. Kjo është më e prekshme në uljen e tarifave të telefonisë celulare dhe në një sërë medikamentesh, ku 412 prej tyre janë të rimbursueshme.
Më gjerësisht, kreu i ekzekutivit foli për çështjen e pronës, e cila përbën një çështje dinamike. Ndërkohë që në trajtimin kësaj çështje, Berisha shigjetoi në mënyrë direkte presidentin Topi, lidhur me veprimet e ndërmara prej tij për të siguruar pronësinë.
“Kush mërzitet për aktet normative mbi pronën, sepse ka prej atyre qe mërziten, pasi e kanë bërë veten kooperativist për të marrë prona, dhe ka bërë gabim, u them se ne jemi të vendosur për të zgjidhur problemet e pronësisë, edhe pse mund të zgjasë si proces. Çështja e pronës nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por është një problem madhor dhe për vendet e zhvilluara”, vuri në dukje Berisha. Madje, në po këtë linjë, Kryeministri informoi lidhur me hartimin e një regjistri dixhital të tokës. Kjo pasi sipas tij, qeveria është e angazhuar për zgjidhjen e problemit.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha rikujtoi dhe dy festat e këtij muaji, që është Dita e Verës, si dhe  20 vjetori i përmbysjes me votë të diktaturës, ku sipas tij, u kurorëzua liria dhe demokracia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›