Formula e re e KQZ-së, i hiqet kompetenca Presidentit për të propozuar anëtarë
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord për formulën e re të funksionimit të Komisionit Qendror Zgjedhor. Burimet kanë bërë të ditur se shumë shpejt komisioni i posaçëm për Kodin Zgjedhor do të miratojë propozimin për strukturën e re të KQZ-së. Ky institucion i rëndësishëm për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore do të jetë i përbërë nga shtatë anëtarë dhe jo nga nëntë sa është aktualisht. Mësohet se të shtatë anëtarët do të zgjidhen vetëm nga parlamenti dhe do t’i hiqen kompetencat Presidentit dhe KLD-së për të propozuar emra anëtarësh në KQZ. Mandati i KQZ-së do të ulet nga 7 në 4 vjet, në mënyrë që të përkojë gjithmonë me mandatin e parlamentit, duke garantuar kështu balancën politike në KQZ. Kryetari i KQZ-së do të zgjidhet në parlament me një procedurë veçmas nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë maxhorancës, ndërsa nënkryetari do të zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës. Dy grupet e mëdha parlamentare, në këtë rast PD-ja dhe PS-ja, do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të patur nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre. Ndërsa dy anëtarë të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës, tjetri nga ajo e maxhorancës. Por propozimi nuk do të thotë automatikisht edhe miratim. Vota për 2 kandidatët e tjerë do të jepet vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi i opozitës i dhënë nga Partia Socialiste dhe ai i maxhorancës i dhënë nga Partia Demokratike. Pra të dyja partitë e mëdha marrin kompetenca të mëdha për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.
1 Nentor 2008