E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm çek, pesimist për liberalizimin e vizave qershorin e ardhshëm



Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Scharzenberg, është shprehur pesimist për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe BE-së brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2009. Gjatë fjalës së mbajtur në ditën e tretë të konferencës së ambasadorëve, Karel Scharzenberg tha se kryesia çeke e BE-së do të ketë prioritet procesin e liberalizimit të vizave. Por, sipas tij, ky proces varet shumë nga ecuria e reformave në vend. “Kryesia çeke e BE-së do t’i japë prioritet liberalizimit të vizave me vendet jashtë komunitare. Periudha jonë në BE do të shoqërohet me liberalizimin e konsiderueshëm të procedurave të vizave, por kjo do të varet shumë edhe nga reformat në vendet përkatëse dhe nga vlerësimi i punës së tyre në raportet e Komisionit Euopian”, - është shprehur ministri i Jashtëm i Çekisë, Scharzenberg. Gjatë fjalës së tij, ai premtoi se Shqipëria do të ketë mbështetjen e Çekisë në procesin e integrimit në BE.
“Nuk përbën sekret fakti që Shqipëria pritet të aplikojë për pranimin në BE. Një komb, nga më të vjetrit në Europë, është një kandidat potencial për këtë. Pa përfshirjen e një vendi të tillë në familjen europiane procesi i integrimit europian nuk do të ishte i plotë. Nëse Shqipëria do të bënte një hap përpara drejt BE-së, gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, atëhere do ta konsideroja këtë veprim si një shprehje simbolike të interesit tonë të përbashkët”, - tha ministri Scharzenberg. Në fjalën e tij para ambasadorëve shqiptarë, ai paraqiti disa nga prioritetet e Presidencës çeke, që do të nisë zyrtarisht më 1 janar 2009. “Kjo përvojë e re për ne sjell shumë përgjegjësi politike. Ne do të vijojmë të inkurajojmë qëllimin kryesor të BE-së që është respektimi i lirisë dhe zbatimi i ligjit. Motoja e Presidencës sonë do të jetë "Europa pa pengesa" dhe Republika Çeke do të jetë një avokate e zgjerimit të BE-së, drejt vendeve të Europës Juglindore”, - është shprehur kryediplomati çek. Kreu i diplomacisë çeke ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare me ftesë të homologut Lulzim Basha, me të cilin ka zhvilluar një takim kokë më kokë. Ministri çek është pritur dje në takime të veçanta edhe nga Presidenti Topi, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›