Ndoka: “Demokristianët të bashkuar për zgjedhjet e 2009-s”
Katër parti demokristiane kanë nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Projekti i bashkëpunimit është bërë publik dje nga kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. “Jemi këtu së bashku, përfaqësuesit e katër partive kristiane, të Partisë Demokristiane të Shqipërisë, të Partisë Kristiandemokrate, të Partisë Socialkristiane dhe të Partisë së Bashkimit Demokristian, për të shpallur publikisht bashkëpunimin e të gjithë demokristianëve dhe konkurrimin së bashku në një grupim të përbashkët politik në zgjedhjet e vitit 2009”, - është shprehur Ndoka në prani dhe të tre kryetarëve të tjerë të partive demokristiane, Zef Lleshi, Fran Bruka dhe Emanuel Dungu. Sipas Ndokës, ky bashkim nuk është i bazuar mbi pazare dhe interesa të ngushta individuale, “siç po ndodhin bashkimet dhe shkrirjet e sotme të grupimeve politike të dështuara”. Ndoka gjithashtu i hapi një garë Partisë Demokratike, duke bërë të ditur se ky grupim do të përfaqësojë të gjitha shtresat e diskriminuara nga PD-ja. “Ne besojmë se bashkimi ynë si demokristianë është fillimi i një lëvizjeje të re për rigrupimin e partive politike historike dhe të lëvizjeve të qendrës dhe të qendrës së djathtë, por edhe të intelekualëve dhe personaliteteve publikë për të krijuar mundësinë reale për ndryshimin e politikës shqiptare dhe për përfaqësimin e atyre shtresave të shoqërisë që nuk janë përfaqësuar nga një Parti Demokratike e majtë dhe as nga një e majtë që hiqet si e djathtë”, - është shprehur Ndoka.
1 Nentor 2008