Si do t’u kufizohet imuniteti deputetëve
Eljona Ballhysa
Amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës përsa i përket imunitetit të deputetit janë ende në proces hartimi, ndërkohë që janë zbardhur disa pika të projektit. Propozimet e para i japin të drejtë prokurorisë të ndjekë penalisht deputetin në rast se ka një akuzë zyrtare kundrejt tij. Por prokuroria nuk ka të drejtë të prekë jetën personale të ligjvënësit pa lejen e Kuvendit. Kjo do të thotë se deputetit nuk do t’i përgjohet telefoni dhe nuk do t’i kontrollohet zyra, apo dokumente personale, pa miratimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Këto janë disa nga pikat që po diskutohen nga grupi i punës i ngritur nga Kuvendi dhe që drejtohet nga socialisti Ylli Bufi dhe nga demokrati Ilir Rusmali. Në një prononcim për gazetën “Albania”, Bufi ka bërë të ditur se grupi i punës ende nuk e ka përfunduar projektin dhe është në proces diskutimi me grupe interesi. Në përfundim të procesit, drafti që do të përgatitet do t’i jepet për shqyrtim të gjitha grupeve parlamentare dhe më pas do të kalojë për miratim në seancë parlamentare.
Kufizimi
Sipas Bufit, organi i akuzës do të mund të nisë menjëherë procedimin penal sapo ndaj një deputeti të ketë një akuzë zyrtare, pa qenë nevoja e marrjes më parë të pëlqimit të Kuvendit, për dhënien e autorizimit, por duke ruajtur atë që konsiderohet si privaci apo liria personale e ligjvënësit. “Ideja nuk është më të mbajmë këtë imunitet që është apo ta heqim atë. Ideja është të vendosim një standard të ri dhe standardi është se ka imunitet dhe do të vazhdojë të ketë imunitet për atë që quhet liria personale e të zgjedhurit, ose ajo që ka të bëjë me kryerjen e funksionit të deputetit. Kjo është ajo pjesë e imunitetit parlamentar që mbetet, që nuk ndryshon”, - ka bërë të ditur Bufi. Duket se megjithëse deputetët kanë rënë dakord që të ndryshojnë Kushtetutën për çështjen e imunitetit, përsëri do të vendosin disa rregulla që do t’i mbrojë ata nga organi i Prokurorisë. Sipas projektit për ndryshimin e Kushtetutës, Prokuroria do të ketë të drejtë të hetojë penalisht një deputet pa lejen e Kuvendit, por nuk do të ketë të drejtë të përgjojë telefonin e tij, të kontrollojë adresën elektronike të tij, apo zyrën dhe dokumentet personale, pa autorizimin e Kuvendit. Megjithatë, projekti është ende në proces diskutimi dhe priten propozime të reja për çështjen e imunitetit.
Gjyqtarët
Ajo që mbetet ende e paqartë është çështja e imunitetit të gjyqtarëve. Bashkëkryetari socialist i grupit të punës, Bufi, bën të ditur se ende nuk kanë dalë në një vendim për këtë çështje. Ndërkohë që Partia Demokratike është shprehur në mbështetje të kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve, nga Partia Socialiste ende nuk ka një qëndrim të qartë për këtë çështje. Gjatë mbledhjes së kaluar të grupit të punës është diskutuar në prani të juristëve dhe konstitucionalistëve të njohur të vendit. Këta të fundit u shprehën kategorikisht kundër kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve apo prokurorëve, duke e konsideruar këtë një përpjekje për t’i kontrolluar ata politikisht. Pritet që edhe kjo pikë e projektit të gjejë zgjidhje tënmbledhjet e ardhshme të grupit të punës.
1 Nentor 2008