E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Parlamentin e bullgar: “Brenda vitit shpresojmë të kërkojmë statusin e kandidatit për integrimin në BE”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndodhet për një vizitë në Bullgari, me ftesë të homologut të saj Georgi Pirinski, ka mbajtur një fjalim në Parlamentin bullgar. Gjatë fjalës së saj Topalli ka falënderuar parlamentarët bullgarë për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në nisje të fjalës e saj para deputetëve të Kuvendit të Bullgarisë, kryetarja e Kuvendit e cilësoi si një eveniment historik, si një privilegj të veçantë adresimin e këtij Parlamenti, “në një ditë kaq të veçantë, kur një vend tjetër mik ratifikon Protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO”.
Kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj, në mënyrë të veçantë është ndalur në një ekspoze të reformave të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e integrimit, reforma të vlerësuara nga raportet ndërkombëtare. Ajo gjithashtu shprehu besimin se brenda këtij viti do të ratifikohet dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, e cila do t’i hapë rrugën Shqipërisë që të kërkojë të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.
“Ne kemi besim të plotë që brenda këtij viti do të përfundojë ratifikimi i MSA me BE-në, gjë që do t’i lejojë Shqipërisë të kërkojë statusin e kandidatit në BE. Ne kemi ende shumë çështje për të trajtuar e probleme për të zgjidhur, si dhe shumë të tjera për të përmirësuar. Ne mundëm të ecim përpara falë mbështetjes së popujve miq, ne e mbajtëm gjallë ëndrrën europiane dhe e çuam atë më tej. Ne ndërmorëm reforma të guximshme dhe arritëm transformime kolosale dhe të gjitha këto në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë”, - ka theksuar kryetarja e Kuvendit.
“Reformat tona janë të pakthyeshme, ndaj edhe Shqipëria do t’ia dalë mbanë për t’u renditur në krah të vendeve anëtare te BE-së. Zemra e madhe shqiptare nuk na ka lënë në baltë dhe nuk do të na lërë sot, më shumë se kurrë. Shqipëria është tashmë në prag të NATO-s dhe në paradhomën e BE-së”, - është shprehur kryetarja Topalli.

Presidenti Topi takon ministrin e Jashtëm të Turqisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje në Pallatin e Brigadave një takim të përzemërt e miqësor me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron. Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, duke falënderuar Turqinë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë në proceset integruese në strukturat euroatlantike. Kryetari i shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë, duke evidentuar rëndësinë e mbështetjes politike nga ana e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu pozicionin e qartë të Turqisë për njohjen e menjëhershme të shtetit të ri të Kosovës.
Kreu i shtetit vuri në dukje gjithashtu rritjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona dhe vlerësoi rritjen e shkëmbimeve tregtare çka ka bërë që Turqia të jetë një partner shumë i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, si dhe siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të mirëpresë investime të tjera në sektorë kyç si energjia, telekomunikacioni, turizmi, arsimi, shëndetësia, etj. Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan, shprehu kënaqësinë për takimin e ngrohtë dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha fushat me interes reciprok duke theksuar nevojën e rritjes së mëtejshme të investitorëve dhe pranisë së kompanive turke në vendin tonë. Babacan vlerësoi marrëdhëniet e gjithanshme mes dy vendeve tona dhe pasi vuri në dukje rolin moderator dhe të ekuilibruar të Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›