E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufizimi i imuniteti, ligjvënësit diskutojnë në prani të përfaqësuesve KE-së



Dje është zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë takimi i parë konsultativ për ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura për median kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Këshillit të Europës, të prezencës së OSBE-së në Tiranë si dhe përfaqësues të misionit EURALIUS. I mandatuari nga Partia Socialiste për këtë çështje, Ylli Bufi, ka bërë të ditur për gazetën “Albania” se gjatë mbledhjes së djeshme janë marrë në shqyrtim propozimet e disa konstitucionalistëve midis të cilëve Aurela Anastasi, Vasilika Hysi etj. Konstitucionalistët në parim kanë mbështetur nismën për të kufizuar imunitetin e deputetëve dhe sipas tyre rruga e duhur është ndryshimi i nenit të Kushtetutës. Por konstitucionalistët kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndryshimet e shpeshta që po i bëhen ligjit themeltar të shtetit. Ndryshimet e fundit të Kushtetutës janë miratuar në pranverë të këtij viti dhe pa kaluar ende një vit propozohen nga Kuvendi ndryshime të reja. Pikërisht kjo përpjekje e Kuvendit nuk shikohet me syrin pozitiv nga konstitucionalistët. Po kështu, sipas nënkryetarit të Kuvendit, Ylli Bufi, konstitucionalistët janë shprehur kundër qëndrimit të Partisë Demokratike për të kufizuar imunitetin e gjyqtarëve. Sipas tyre kjo nismë cenon pavarësinë e sistemit të Drejtësisë. Ata kanë bërë thirrje që politika të mos prekë imunitetin e gjyqtarëve apo prokurorëve, pasi do të cenojë pavarësinë e tyre. Sipas konstitucionalistëve, imuniteti u duhet aktorëve të sistemit të drejtësisë për t’u ndjerë të mbrojtur nga sulmet e politikës. Gjatë takimit të djeshëm konstitucionalistët kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e zhvillimit të konsultimeve të gjëra deri në miratimin e ndryshimeve të reja në Kushtetutë.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›