E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka i shpall “luftë” Topallit: “Na kujton Lenka Çukon”



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka kërkuar dje në Kuvend shkarkimin e kryetares Jozefina Topalli. Ndoka ka argumentuar se shkarkimi i Topallit është i nevojshëm për t’i rikthyer dinjitetin Kuvendit, ndërsa e ka akuzuar Topallin për pengim të hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Ai gjithashtu nuk ka hezituar ta krahasojë kryetaren e Kuvendit me një figurë të regjimit komunist, si Lenka Çuko. Kërkesa e kreut të PDK-së për shkarkimin e Topallit vjen pas kërkesës së kësaj partie për dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Duket se së fundi PDK-ja ka ndërmarrë një lëvizje kundër lidershipit të Partisë Demokratike, veçanërisht ndaj dy figurave qendrore të kësaj partie. Për largimin e Berishës demokristianët vunë në dukje krizat e njëpasnjëshme politike dhe rrezikun e humbjes së të djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa për largimin e Topallit, Ndoka argumenton se kryetarja e Kuvendit ka cenuar parimet kushtetuese.
Kërkesa
“Parlamenti, si institucioni më i rëndësishëm kushtetues, prej kohësh po cenohet në të drejtat dhe detyrat e tij kushtetuese, në funksionet e veta legjislative dhe në imazhin publik. Kjo ndodh sepse ne kemi pranuar të kemi drejtuese një politikane që nuk ka asnjë lidhje me politikën, një militante që çdo ditë e më shumë e sheh Parlamentin si një prej shumë pronave private që ka shtuar pas vitit 2005”, - është shprehur Ndoka. Ai ka bërë të ditur se kryetarja Topalli ka humbur çdo të drejtë morale për përfaqësimin dhe drejtimin e Parlamentit. “Duke e ditur mirë se në ambiciet e saj për pushtet nuk pranon asnjë rregull demokratik, siç është dorëheqja, unë ftoj Parlamentin të gjejmë mekanizmat kushtetues për largimin sa më parë të saj dhe kështu për kthimin e dinjitetit të humbur të Kryesisë së Parlamentit”,- ka kërkuar Ndoka gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare.
Argumentet
Po kështu, Ndoka ka dhënë argumente për arsyet pse Kuvendi duhet, sipas tij, ta shkarkojë Topallin. Sipas tij, Jozefina Topalli ka përgjegjësinë e plotë për minimin e jetës parlamentare, për konfliktet e hapura dhe të vazhdueshme me institucionet kushtetuese, si dhe për dobësimin e rolit të Parlamentit në raport me pushtetet e tjera. Ai vesh me përgjegjësi kryetaren e Kuvendit për dështimin e disa komisioneve hetimore të Parlamentit, për kritikat e shumta ndërkombëtare që i adresohen Parlamentit, si dhe për tejkalimin dhe dështimin e reformave të rëndësishme. Sipas Ndokës, Topalli është fajtore për shkak se seleksionon ligjet që fut në procesin e votimit, si dhe për emërimet politike që bëhen në Parlament. Ndoka gjithashtu e akuzon Topallin për shpërdorime masive të financave të Parlamentit, për krijimin e një klime konfliktuale, mosbesimi dhe denigrimi ndaj deputetëve dhe institucioneve më të larta të shtetit dhe për tendencat e vazhdueshme për të dobësuar rolin dhe autoritetin e parlamentarëve. Sipas tij, ikja e saj do të ishte edhe një lehtësim i madh për maxhorancën dhe veçanërisht për PD-në, “pasi ajo në mënyrë të papërgjegjshme është futur në jetën dhe organizimin e brendshëm të partive dhe si ai pallati pa leje që po ndërton në qendër të Shkodrës, ka ndërtuar grupe e fraksione përçarëse në të gjitha partitë politike të maxhorancës”. Po kështu Ndoka e akuzon Topallin për pengimin e hetimit të tragjedisë së Gërdecit dhe heqjen e imunitetit të deputetëve të akuzuar lidhur me të.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›