Mungesa e ministrave rrëzon në Kuvend ndryshimet në Kodin Civil
Eljona Ballhysa
Mungesa e ministrave të kabinetit qeveritar ka rrëzuar dje në Kuvend ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin Civil. Projektligji në fjalë mori vetëm 77 vota, me gjithë bashkimin e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, ndërkohë që duhej të merrte 84 vota për t’i miratuar. Mosmiratimi i këtij drafti solli debate në Kuvend, ku deputetët e PD-së dhe ata të PS-së akuzuan njëri-tjetrin për rrjedhje votash. Në fakt, kundër projektligjit kanë votuar deputetët e partive të vogla, si të PDK-së, LSI-së, PSD-së si dhe deputeti Ngjela. Por mungesa e ministrave të qeverisë ka ndikuar gjithashtu në rrëzimin e projektligjit për disa ndryshime në Kodin Civil. Të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm tre ministra të kabinetit qeveritar, Gjana, Xhuveli dhe Beja, të cilët dhanë votën pro, ndërkohë që mungesa e të tjerëve ka sjellë mosmiratimin e projektit. Nëse në sallën e Kuvendit do të ishin prezentë ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar, projektligji do të ishte miratuar.
Debati
Në përfundim të votimit kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e ka akuzuar opozitën për mungesë serioziteti për shkak të mosvotimit të projektligjit. “Ultimatumi i zonjës Leskaj nuk ishte në lidhje me votimin e sotëm, pasi një pjesë e grupit të PS-së votoi kundër këtij projektligj, ndërsa një pjesë tjetër votoi pro. Unë gjykoj se është një gjest shumë joserioz dhe mbi të gjitha është një rast i përsëritur, ku Partia Socialiste, për fat të keq, duhet të tregojë vullnet që ta luftojë korrupsionin në të gjitha segmentet”, - është shprehur Patozi. Por kjo deklaratë e tij është pasuar nga reagimi i Leskajt, e cila i ka kërkuar Patozit të numërojë votat e maxhorancës. “Nuk e besoj që mungesat që ka nga maxhoranca kryetari i grupit të PD-së t’i kërkojë tek opozita, e cila ka votuar për Kodin”, - është shprehur kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Leskaj. Por kundër projektligjit kanë votuar kryesisht deputetët e partive të vogla. Kështu, në tabelën elektronike të Kuvendit janë regjistruar emrat e Bejtajt, Brahos, Çulit, Divjakës, Koçit, Kolës, Kostës, Legisit, Nëranxit, Ngjelës, Priftit, Xhufit dhe Memushit, që kanë votuar kundër. Ndërsa mësohet se kanë abstenuar deputetët Marko Bello, Qemal Minxhozi, Raimonda Stefa, Ilir Meta e Artur Hasanbelliu. Deputetët e LSI-së dhe deputeti Ngjela i kundërshtuan këto ndryshime duke argumentuar se janë përsëritje e disa pikave që janë të fiksuara në Kodin Penal. “Ndryshimet e propozuara janë nonsens. Ato nuk janë gjë tjetër veçse përsëritje e dispozitave të Kodit Penal. Ky projektligj duket sikur është hartuar nën imponimin e kryeministrit Berisha, ku avokatët kanë shkruar budallallëqe”, - është shprehur avokat Ngjela.
Projektligji
Projektligji për disa ndryshime në Kodin Civil parashikon përforcimin e dënimeve në rastet e ryshfetit apo korrupsionit, kryesisht në tendera. Neni një i këtij projektligji parashikon që “personi, i cili nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloji tjetër avantazhi përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhimin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dënim e shkaktuar”. Ky projektligj parashikon gjithashtu dënimin e personit që nuk parandalon një akt korruptiv. Në projektligj parashikohet që çdo kontratë që ka për objekt një veprim korruptiv cilësohet e pavlefshme.
Leskaj i vë kushte PD-së: “Nuk japim konsensus për asnjë ligj deri në miratimin e Kodit Zgjedhor”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka kërkuar përshpejtimin e punës për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Gjatë fjalës së mbajtur dje në seancën parlamentare, Leskaj është shprehur se Partia Socialiste nuk do të japë konsensusin për asnjë ligj tjetër të qeverisë deri në përcaktimin e një date për miratimin e Kodit Zgjedhor. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkon të përshpejtohet puna për miratimin e Kodit Elektoral, për shkak se çdo vonesë mund të cenojë cilësinë e procesit zgjedhor, sepse jemi në limitet e fundit. Pra jemi në afatet e fundit kohore. Ne nuk do të japim konsensus për asnjë ligj tjetër të qeverisë deri në përcaktimin e një date në kalendarin e punimeve të Kuvendit për miratimin e Kodit Zgjedhor”, - është shprehur Leskaj. Nënkryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Fatmir Xhafaj, i kontaktuar nga gazeta “Albania”, është shprehur se nuk ka bllokim të punës nga ky komision. Ai ka bërë të ditur se ekspertët janë duke punuar, por kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së ka mbajtur një qëndrim në emër të grupit, i cili kërkon përshpejtim të punës. Afati i Komisionit për Reformën Zgjedhore është përcaktuar të jetë fundi i muajit tetor. Por duket se me ritmet e punës me të cilat ka ecur ky komision është e vështirë të respektohet ky afat. Burime nga ky komision kanë bërë të ditur se do të kërkohet edhe njëherë shtyrja e afatit të Komisionit të posaçëm për Kodin Zgjedhor.
24 Tetor 2008