Meta: “Mbështesim në çdo moment mocionin për shkarkimin e Topallit”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se LSI-ja gjithmonë ka qenë e gatshme që të mbështesë çdo mocion që kërkon shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Meta tha se pavarësisht se nga ana e deputetëve të PS-së ka munguar gatishmëria për të riaktivizuar këtë mocion, LSI-ja do ta mbështesë atë në çdo moment që do të paraqitet në Kuvend. “Prej disa muajsh ne jemi shprehur të gatshëm se në rast se grupi i PS-së do të riaktivizonte mocionin ndaj znj.Topalli, sikurse u bë e ditur muaj më parë, ne do ta mbështesnim. Kjo gjë nuk ka ndodhur, por, në çdo moment kur mund të ndodhë, ne shprehemi të gatshëm që do ta mbështesim, sepse mendojmë se ka mjaft probleme serioze në funksionimin e Parlamentit dhe që kanë të bëjnë me shkeljen e parlamentarizmit dhe gjithë procedurave demokratike”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së theksoi se qëndrimi i LSI-së është që të kërkojë dhe të mbështesë gjithashtu çdo mocion që kërkon largimin edhe të kryeministrit Sali Berisha. “Disa herë kryeministri Berisha e ka dhunuar Parlamentin si institucion dhe kryetarja jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim ndaj tij, por e ka favorizuar këtë sjellje arrogante dhe përçmuese të tij ndaj Parlamentit. Ndaj jemi të bindur që z. Berisha jo vetëm duhet të largohet tani, por duhet të ishte larguar me kohë, ndaj ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo iniciativë që synon largimin e tij”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
24 Tetor 2008