E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formular për identifikimin e zgjedhësve

27/12/2010  Partia Socialiste përcakton modelet mbi të cilat do të punojë ekipi i patronazhit

Përcaktohet mënyra e votimit, vendndodhja aktuale, adresa, telefoni, pika e kontaktit

Verifikimi i listës së zgjedhësve dhe identifikimi i tyre sipas bindjeve politike përbën për Partinë Socialiste një nga momentet kyçe të procesit parapërgatitor në funksion të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Për këtë arsye, lidershipi socialist në manualin orientues për të gjitha strukturat socialiste në bazë ka përfshirë dhe dy formularë, të cilët janë të lidhur pikërisht me një moment të tillë.

Patronazhi

Kështu, për realizimin me sukses të procesit të verifikimit dhe identifikimit të votuesve, kupola rozë i ka mëshuar rëndësi më së shumti ngritjes dhe funksionimit të sistemit të patronazhit, i cili përbën dhe një ndër elementet kryesore në të gjithë makinën elektorale të kësaj partie, nga qendra në bazë. Madje, me qëllim që çdo hap të jetë i kontrolluar dhe i qartë për të gjitha strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, është përgatitur dhe shpërndarë njëkohësisht një formular, për të gjithë ekipin e patronazhistëve. Kësisoj, ndërlidhësi elektoral (strukturë kjo pranë çdo qendre votimit) dhe kryetari i organizatës socialiste, mbi bazën e përbërjes se organizatës socialiste dhe funksionimit efektiv të saj, evidentojnë anëtarët aktivë të organizatës socialiste, të aftë e të sigurt për të qenë pjesë aktive e sistemit të patronazhit, si dhe evidentohen mbështetës që kanë mundësi e aftësi për tu përfshirë në këtë sistem. Pra, fillimisht plotësohet formulari i parë, ai i patronazhizstëve, i ekspozuar dhe në faksimile.

Votuesi

Verifikimi i listës paraprake të zgjedhësve deri më 10 janar 2011 është një nga detyrat e ekipit të patronazhit. Për këtë qëllim, pas përcaktimit të patronazhsitëve nis nga puna plotësimi i formularit të dytë, po ashtu i ekspozuar si faksimile. Secili patronazhist siguron informacion për secilin zgjedhës, si: mënyrën e votimit, vendndodhjen aktuale, adresën, telefonin, pikën e kontaktit etj. Çdo patronazhist si rregull duhet të marrë kontakt të drejtpërdrejt me kryefamiljarin, ose në mungesë e pamundësi me të me një pjesëtar madhor të familjes, duke e ballafaquar me listën e përgatitur nga ZGJC dhe kryetari i njësisë vendore. Gjithashtu, ai duhet të vërejë me vëmendje nëse përputhen të dhënat (rekordet e secilit zgjedhës në listën paraprake me ato që zgjedhësi ka në dokumentin e identifikimit). Patronazhisti duhet të vërejë me kujdes që të mos ketë ndryshime a deformime ose pasaktësi të emrit, atësisë, mbiemrit etj.

Strukturat

“ZAZ-ja do të jetë baza e organizimit dhe veprimit elektoral. Drejtuesi politik i këtij organizimi elektoral do të jetë deputeti ose funksionari politik i caktuar pranë saj. Brenda çdo ZAZ-je të gjitha strukturat kanë përgjegjësinë dhe detyrat konkrete elektorale. Shtabi elektoral i ZAZ-së drejton, organizon dhe kontrollon gjithë veprimtarinë e strukturave elektorale të partisë të njësive të qeverisjes vendore në ZAZ-në përkatëse. Për çdo detyrë janë vënë afatet kohore se kur duhet të përfundojë kjo fazë parapërgatitore, e cila shënon fundin e muajit janar 2011.”

Drejtuesi

“Shtabi i ZAZ bën mbikëqyrjen e procesit të verifikimit të listave zgjedhore përmes kontrollit nga njësia teknike dhe verifikimit derë më derë me sistemin e patronazhit, realizimin e procesit të identifikimit të votuesve të majtë për çdo bashki dhe komunë përmes sistemit të patronazhit. Deputeti, në bashkëpunim me kryetarin e PS-së së rrethit, duhet të bëjë analizën dhe interpretimin e rezultateve elektorale për periudhën 2001-2009 mbi bazën e tabelave të dhëna. Për çdo qendër votimi, deputeti duhet ti përgjigjet brenda datës 10 janar 2011 pyetësorit përkatës”.

Detyra

“Përpara ndarjes së listave sipas sistemit të patronazhit bëhet analiza e listës paraprake të zgjedhësve të qendrës së votimit, duke bërë këto evidentime: ndryshimet konkrete që ka pësuar lista paraprake e zgjedhësve të qendrës së votimit me listën e zgjedhësve të 2007-2009 (rritje apo ulje e numrit të zgjedhësve etj.); zgjedhësit që sipas njohjes së tyre nuk votuan, për shkak se ishin në emigracion; zgjedhësit që kanë votuar PS-në në qershor 2009; zgjedhësit që kanë votuar LSI-në më 28 qershor 2009; zgjedhësit që kanë votuar PD-në dhe parti të tjera të djathta.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›