Formulare ne kishe per te mbeshtetur Janullatosin
Besimtarëve ortodoksë që bëhen këto ditë pjesë e ceremonive fetare në kishën Shën Harallambi të Sarandës, u kërkohet edhe firmosja e një formulari. Mësohet se janë plotësuar dhjetëra e dhjetëra formularë që shprehin mbështetje ndaj kryepeshkopit Janullatos, në debatin e ndezur për autoqefalinë e kishës shqiptare. Një fushatë në mbështetje të Fortlumturisë së tij, Anastas, ka nisur në kishën e Shën Harallambit në qytetin e Sarandës. Ne ishim dje në kishën e Shën Harallambit në qytetin e Sarandës, ku na treguan se mund të bëheshim edhe ne firmëtarë të formularit që ofrohet në shqip dhe greqisht në mbështetje të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe tërë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Janullatos. Na shpjeguan se në meshën e të dielës janë mbushur jo pak formularë të tillë, por na informuan se puna për plotësimin e formularëve ka nisur prej 12 dhjetorit, që lidhet me Ditën e Shën Spiridonit. I njëjti formular u ofrohet besimtarëve ortodoksë që shkojnë në kishë këto ditë, qofshin ata minoritarë grekë apo ortodoksë shqiptarë. Me këtë na u shpjegua fakti që formularët janë shtypur edhe në greqisht edhe në shqip, në mënyrë që firmëtarët të jenë të qartë përse firmosin. Sikurse shkruhet edhe në tekstin që gjendet në krye të formularit, çdo firmë e hedhur në të do të thotë se “Mbështesim Kryepeshkopin Anastas me mirënjohje dhe besim të palëkundur”. Fjala është për mbështetje në përballje me debatin me prof. Kristo Frashëri, për autoqefalinë e kishës shqiptare. Në funksion të kësaj, formulari kërkon solidaritet, përmes tekstit se “Ne, të krishterët ortodoksë, që nënshkruajmë, e njohim prej shumë vitesh udhëheqësin tonë shpirtëror, i cili duke pasur njohuri të thellë teologjike dhe vetësakrifikim, e udhëheq Kishën tonë me fjalë gjithmonë paqësore dhe me vepër krijuese. E mbështesim me gjithë shpirt, me mirënjohje dhe besim të palëkundur”, përfundon teksti i formularit.