Kontrolloret greke kerkojne edhe dokumentet e shtepise se pritesit
Porta e Kakavijës nuk është më aq e zymtë sa në ditët e para të lëvizjes pa viza të shqiptarëve. Dje, nga 470 persona që iu drejtuan Kakavijës për të kaluar në Greqi vetëm me pasaporta biometrike, vetëm 50 u kthyen mbrapsht, ndërsa 420 të tjerët mundën ta kryejnë udhëtimin e planifikuar.
Burime nga policia kufitare shqiptare në Kakavijë, tregojnë se pas vështirësive të ditëve të para, numri i qytetarëve pa viza që tentojnë të kalojnë nga kjo pikë kufitare ka rënë ndjeshëm. Gjithashtu, konstatohet se pothuajse të gjithë ata që duan të kalojnë pa viza Kakavijën janë të vetëdijshëm për vështirësitë që mund të hasin përballë kontrollorëve grekë, ndaj kanë marrë masat për të pasur me vete çdo dokument që u kërkohet.
Kjo ka qenë arsyeja që nga 90 për qind që ishte në dy ditët e para të lëvizjes së lirë, pjesa e të refuzuarve të arrijë në rreth 10 për qind në fund të javës.
Ndërkohë, nga ata që nuk kanë mundur të kalojnë kufirin, mësohet se kontrollorët grekë nuk janë më mikpritës apo më “të butë” se ditët e para. “Kur ata nuk duan të kalojnë, nuk të pinë ujë as pasaporta biometrike, as letrat e as paratë që ke me vete”, thotë një 35-vjeçar nga fshatrat e Beratit, të cilit iu refuzua dje kalimi për në Greqi.
Pa dashur të identifikohet, ai tregon se kishte paraqitur në sportel pasaportën biometrike, një ftesë nga vëllai i tij që jeton si emigrant i ligjshëm në Athinë, e vulosur kjo nga policia e Athinës, kishte një biletë vajtje-ardhje autobusi dhe 500 euro, që janë më tepër sesa duhet për kohën që ai kishte deklaruar se do të qëndronte në Greqi. Por pasi i kanë parë të gjitha dokumentet dhe kanë numëruar paratë, kufitarët grekë i kanë kërkuar të riut të paraqiste edhe një kontratë qiraje për shtëpinë ku jetonte vëllai i tij në Athinë...
Kështu, beratasi është detyruar të kthehet përsëri në shtëpi, me pak shpresë se edhe kur të sigurojë kontratën e qirasë që i kërkuan, do të lejohet ta kalojë kufirin.