E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati tri jave pa drita CEZ Blijeni vete transformatorin

Bulqizë Propozimi i çuditshëm për banorët e fshatit Zall-Strikçan

Vijojnë ankesat e banorëve të zonave rurale të rrethit të Bulqizës ndaj operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, “CEZ Shpërndarja”. Sipas tyre, aktualisht kompania nuk u ofron asnjë lloj shërbimi për furnizimin me energji elektrike, konform kontratës së nënshkruar me ta. Madje, sipas banorëve të fshatit Zall-Strikçan në Komunën e Zerqanit, kërkesës së tyre për riparimin e transformatorit të djegur prej rreth tri javësh, drejtuesit e filialit të “CEZ Shpërndarja” në Bulqizë i janë përgjigjur me një kërkesë absurde: Duhet të paguani si fshat që t’ju sjellim një transformator të ri. “Ndihemi shumë të revoltuar, pasi edhe pse jemi prej tri javësh pa drita, askush nuk interesohet për këtë problem. Siç duket nuk do ketë festim të Vitit të Ri për ne”, thotë një nga banorët e fshatit Zall-Strikçan. Ndërkohë, kryeplaku Bilbil Gjoka pohon se për zgjidhjen e këtij problemi është ankuar jo vetëm te filiali i “CEZ Shpërndarjes” në Bulqizë, por edhe tek organet e pushtetit lokal e deri te prefekti i Dibrës, por ende nuk ka gjetur zgjidhje. “Fshati ynë ka paguar rregullisht faturat e energjisë, madje edhe gjatë vitit të mbrapshtë 1997 dhe nuk është e drejtë që CEZ-i të mos na përgjigjet për të sjellë një transformator të ri, por të vazhdojë pa bërë asgjë duke na lënë në terr, pa drita, pa televizor dhe pa telefona për mungesë karikimi”, thotë Gjoka. Moti me borë e ngrica i para disa ditëve, jo vetëm në fshatin Zall-Strikçan, por edhe në mjaft fshatra të zonave të thella malore, ka shkaktuar defekte si në linjat e transmetimit, ashtu edhe në kabinat e tyre elektrike. Por, në pak raste, për të mos thënë fare, është parë ndërhyrja e CEZ-it për riparimin e këtyre defekteve. Kjo, për shkak të mungesës së bazës materiale, ashtu edhe të specialistëve elektricistë. Aktualisht, pranë agjencive elektrike gjen vetëm faturistë të energjisë, të cilët ngrenë supet përpara kërkesave të shumta të banorëve për riparimin e defekteve të ndodhura në linjat e transmetimit dhe kabinat elektrike, pasi, siç dhe thonë ata, kjo nuk është detyrë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›