Mungesa e dritave CEZ fajeson OST-ne
Kompania CEZ, që menaxhon shpërndarjen e energjisë, sqaron se mungesa e dritave lidhet me punimet që po kryen Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST). “Ndërprerja e energjisë elektrike prej datës 17 dhjetor është kërkuar nga OST-ja, e cila po punon për ndërtimin e linjës 400 kv Tiranë-Podgoricë”, njoftoi dje “CEZ Shpërndarja”. Nga ana e saj, OST, përmes drejtorit Sokol Ramadani, tha po dje, se këto ndërprerje do të vazhdojnë edhe për dy ditë të tjera, ndërkohë që pritet që ky investim të përfundojë në fund të këtij muaji. Reagimi i CEZ-it u bë pas protestës së zhvilluar dje në Gjirokastër, ku biznesmenë të ndryshëm mësynë zyrat e kompanisë, duke kërkuar shpjegime lidhur me kufizimet e zgjatura. Por CEZ deklaron se orari dhe datat e ndërprerjeve janë paralajmëruar me kohë. Sistemi i shpërndarjes në Shqipëri përbëhet nga dy kompani, OST për shpërndarjen në tensionin e lartë dhe “CEZ Shpërndarje” për tensionin e mesëm dhe të ulët.