Kapet pas 4 muajsh autori i nje plagosje
Sherri për një femër dyshohet se është sebepi që ka sjellë plagosjen e një të riu dhe prangosjen e një tjetri. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë, por është zbardhur nga policia vetëm para dy ditësh, kur ka vënë në pranga 24-vjeçarin e dyshuar. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës thanë se specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe personit bënë të mundur ekzekutimin e urdhrit të ndalimit në ngarkim të shtetasit Mishel Kol Prela, 24 vjeç, banues në Tiranë. Në ngarkim të tij, Gjykata e Tiranës, me vendim penal të datës 30 shtator 2010, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi akuzohet për konsumim të veprës penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Ky person akuzohet se më datë 24 gusht 2010, pas një konflikti për një femër, ka goditur me armë të ftohtë thikë 23-vjeçarin Ervin Zallumi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Qemal Stafa”, ndërkohë që kapja e Mishel Prelës u arrit pas një bashkëpunimi me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës.