Kapet per te shtaten here hajduti i harxhonte parate ne lojera fati
I arrestuar mbi shtatë herë nga policia, ai sërish nuk ka vënë mend, duke iu rikthyer profesionit të vjetër. Sa herë ai dilte nga burgu, u kthehej vjedhjeve, kapej sërish, e kështu ka vijuar odiseja e tij deri dje. Bëhet fjalë për një vlonjat, i cili banon në Tiranë dhe është kapur nga Komisariati Nr. 1, duke tentuar të kryejë një tjetër vjedhje. Burimet policore të kryeqytetit thanë se nga shërbimet e parandalimit dhe hetimit të krimit në këtë komisariat u bë ndalimi i 37-vjeçarit, i cili po kryente aktivitetin e tij kriminal në rrugën “Ali Demi”. Sipas të dhënave, në momentin e kapjes ai po tentonte të vidhte një automjet tip “Mercedes Benz”, me targa TR 0571 R. Ai është vënë re nga pronari, i cili menjëherë ka njoftuar shërbimet e policisë, që e kanë vënë në pranga. Fillimisht, Lepuri ka tentuar të largohet, por kur është kapur, gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur dy kaçavida dhe një biçak. Sipas të dhënave hetimore, kjo nuk është hera e parë që ai kapet në Tiranë. Nga policia mësohet se sapo kishte lënë qelinë dhe sërish u është rikthyer vjedhjeve. Ai mendohet se këto ditë ka kryer edhe disa vjedhje të tjera, për dokumentimin e të cilave po punon një grup pune në policinë kryeqytetase. Gjithashtu, ai është arrestuar më parë, si hajdut kasetofonësh, por edhe si protagonistë në sherre të ndryshme. Specialistët e policisë tregojnë se pasi vidhte sende me vlerë, ose para, shkonte në kazino dhe i luante ato në lojëra fati. Sapo i harxhonte rikthehej për vjedhje e kështu vazhdonte rutinën e tij, derisa kapej nga policia. Madje, në vitin 2008, teksa ai luante në një kazino, u përplas edhe me rojat e sigurisë, pasi u kërkoi t’i kthenin paratë. Truprojat tentuan ta nxjerrin jashtë, por aty dëmtoi disa kompjuterë, kështu që u njoftua policia. Madje, edhe gjatë shoqërimit për në ambientet e izolimit, ai ka kundërshtuar dhe goditur uniformat blu. Pa kaluar as tre muaj, ai u lirua nga gjykata, ndërkohë që u kap nga një tjetër aksion policor, për vjedhje kasetofonësh makinash. Gjykata e dënoi edhe për këtë vepër penale, ndërkohë që mendohet se ka kryer vjedhje edhe në qytete të tjera. Ndërkaq, pa kaluar shumë ditë nga lirimi, ai është rikthyer për të vjedhur makina, por duket se nuk i ka ecur, pasi ka rënë në pranga, e tashmë i duhet të përgjigjet para drejtësisë.